2014-09-17 15:39:34

Papa në audiencën e përgjithme: Kisha është katolike e apostolike, për udhë drejt botës


Kisha është universale, sepse lindi ‘për udhë”, domethënë, misionare, e lidhur gjithnjë me zinxhirin e gjatë, që zu fill nga kumtimi i parë i Dishepujve. Kështu i shpjegoi Papa, në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, dy karakteristikat e veçanta të Kishës, që është “katolike” e “apostolike”. Papa e përfundoi audiencën duke u kërkuar besimtarëve ta shoqërojnë me lutje gjatë shtegtimit të tij në Shqipëri, të dielën e ardhshme.

Po të kishte qenë një rreth për pak të zgjedhur, nuk do të kishte pasur një histori prej dymijë vjetësh e një shtëpi të madhe, sa bota. E, falë pasojave të Rrëshajëve, është bashkësi që i flet të gjitha gjuhët e gjindet gjithkund. Papa Françesku u shpjegoi shtegtarëve, mbledhur në audiencën e përgjithshme, kuptimin e epiteteve kryesore të Kishës. Katolike universale, domethënë e krijuar nga Shpirti i Shenjtë, që e bëri misionare qysh prej orës zero - e apostolike - sepse e mbështetur mbi dëshminë e Dymbëdhjetë Apostujve, hallkat e para të zinxhirit të gjatë të fesë:
Fjala e Hyjit sot lexohet në të gjitha gjuhët, të gjithë e kanë Ungjillin në gjuhën e vet, për ta lexuar. E kthehem tek i njëjti koncept; është gjithnjë mirë ta marrim me vete një Ungjill të vogël, ta kemi në xhep, në çantë e gjatë ditës, të lexojmë një pjesëz. Kjo na bën mirë. Ungjilli është i përhapur në të gjitha gjuhët, sepse Kisha, kumtimi i Jezu Krishtit Shëlbues, jehon në botën mbarë. E prandaj thuhet se Kisha është katolike, sepse është universale”.
Për Papën Françesku, katoliciteti, në thelb, është porta që një ditë u rrotullua mbi çivitë e Çenakullit e u hapi dishepujve udhën për të dalë, për t’u nisur mbë udhë drejt botës së madhe:
“Nëse Apostujt do të kishin mbetur të mbyllur aty, në çenakull, pa dalë për ta çuar kudo Ungjillin, Kisha do të ishte vetëm Kishë e këtij populli, e këtij qyteti, e këtij çenakulli. Por të gjithë dolën nëpër botë, nga çasti i lindjes së Kishës, nga çasti kur zbriti mbi ta Shpirti i Shenjtë. E prandaj Kisha lindi ‘për udhë’, në dalje, domethënë, misionare”.
Prej këndej amullia nuk ka të bëjë me ADN-në e Kishës. Apostujt vihen për udhë, arrijnë në toka të largëta, themelojnë atje kisha të reja. E të gjithë ne, sot, kujtoi Papa Françesku, vijojmë udhën e këtij grupi Apostujsh, që mori Shpirtin e Shenjtë e, pastaj, kapërceu pragun e portës e doli e u nis për udhë për të predikuar:
“Është Shpirti i Shenjtë, që kapërcen çdo kundërshtim, që fiton mbi tundimin për t’u mbyllur në vetvete, ndërmjet pak të zgjedhurve, e për ta mbajtur veten si mbartës të vetëm të bekimit të Hyjit. Nëse, për shembull, disa të krishterë e bëjnë këtë e thonë: ‘Ne jemi të zgjedhur, vetëm ne!’, në fund vdesin. U vdes shpirti një herë, pastaj edhe trupi, sepse nuk kanë jetë, nuk janë të aftë për të krijuar jetë, njerëz të tjerë, popuj të tjerë; nuk janë apostolikë”.
Atëhere mund të themi se të bësh pjesë në një Kishë katolike e apostolike, do të thotë, nënvizoi Papa, ta kesh fort për zemër shëlbimin e mbarë njerëzimit, të mos jesh indiferent e as i huaj, kur bëhet fjalë për fatin e vëllezërve të shumtë, në pritje, por ta hapësh zemrën, të jesh solidar ndaj tyre. Do të thotë të jesh i vetëdijshëm se feja jonë lidhet me zinxhirin e gjatë, që vjen nga Apostujt e pasardhësit e tyre, kumtues pa kufij të Ungjillit. E këtu, Papa Françesku u ndalua posaçërisht tek jeta heroike e shumë e shumë misionarëve e misionareve që, përsëriti, e lanë atdheun e tyre, për të shkuar larg, në të katër anët e botës e për t’ua çuar Krishtin popujve, duke kumtuar Ungjillin e Tij në të pesë kontinentet.
“Më thoshte një kardinal brazilian, që punoi për shumë kohë në Amazonë, se kur shkon në ndonjë vend, në ndonjë fshat a qytet të Amazonës, viziton gjithnjë varrezat e atje shikon varret e këtyre misionarëve, priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, që shkuan ta predikojnë Ungjillin: apostuj. E mendon: të gjithë këta mund të shenjtërohen menjëherë, e me të drejtë: lanë gjithçka kishin për ta kumtuar Krishtin deri në skajin më të fundmë të botës(…). Ta falënderojmë Zotin për këtë”.
E falënderimi u përsërit edhe në përshëndetjen e shtegtarëve të gjuhës arabe e të Lindjes së Mesme, të cilët Papa i quajti bij të këtyre tokave të shenjta që, pavarësisht nga vështirësitë, vijojnë të jenë mbartës guximtarë e gazmorë të mesazhit të shëlbimit, të së vërtetës e të bekimit.









All the contents on this site are copyrighted ©.