2014-09-17 14:17:18

Irak. Patriarku Sako: nuk duhen bombat, por mandati i OKB-së


Patriarku kaldeas i Bagdadid, Louis Raphael I Sako dha dje këtë porosi: në krizën irakiane nevojitet mandati i OKB-së e jo vetëm sulmi nga ajri. Patriarku u shpreh kështu pasi, për herë të parë që nga fillimi i sulmeve ajrore, avionët amerikanë qëlluan në afërsi të Bagdadit. Sulmet ajrore amerikane kundër të të vetëshpallurit Shtet Islamik kanë nisur në fillim të gushtit, ndërsa të hënën, gjatë një konference ndërkombëtare në Paris u forcua fronti i koalicionit kundër forcave islamike. Vendet anëtare të këtij koalicioni kërkuan të luftohet “me çdo mjet të nevojshëm” kundër kërcënimit global të ushtrisë islamike, “përfshirë ndihmën e duhur ushtarake”.
Patriarku Sako Shpjegoi para mikrofonit të Radio Vatikanit rëndësinë e mandatit të OKB-së:

Po, sepse është shumë e rëndësishme. Nuk mund të shkohet e të bombardohet kështu, verbërisht... Do të vriten shumë njerëz dhe njerëzit që gjenden aty e bombardohen nuk janë me Is-in. Për këtë arsye duhet gjetur një zgjidhje më e përshtatshme, për t’ua kursyer jetën njerëzve në vend, për të mos shkatërruar infrastrukturat e shtëpitë... Prandaj, mendoj se mandati i OKB-së do të ishte shumë i rëndësishëm. Unë kërkova që edhe vendet arabe të bënin diçka, sepse ata e njohin gjendejn tonë, kulturën tonë, gjuhën tonë. Ata mund të negociojnë me Is-in, pa bërë luftë.

Çfarë keni për të thënë më tej lë lidhje me krizën irakiane?

Nevojiten trupa nga toka, jo vetëm bombardime, sepse bombardimet nuk janë zgjidhja. Besoj se është e nevojshme të ndihmojmë edhe ushtrinë irakiane e ushtrinë kurde, për të siguruar mbrojtje të vërtetë, me qëllim që njerëzit të mund të kthehen në shtëpitë e veta. Pra, duhen mbështetur të dy këto procese.

Iraku është goditur nga eksponentët e të të ashtuquajturit Shteti Islamik, por jo vetëm: kemi edhe zonën e Sirisë. Pra, kemi të bëjmë me një konflikt që i kapërcen kufijtë e Irakut...

Po: konflikti është më i gjerë se Iraku. Pastaj, duhet ta pyesim veten: këto grupe fundamentaliste, kush i financon, kush i mbështet, prej nga vijnë? Ata përbëjnë rrezik në vetvete, prandaj, në vend që të ndryshojmë regjimet këndej e andej, duhet gjetur një zgjidhje për këto grupe, të cilët përbëjnë vërtet një sfidë për mbarë botën.

Ju gjendeni në Evropë. Sot jeni në Bruksel, për të kërkuar që OKB-ja të japë mandatin për ndërhyrje në Irak, apo jo?

Për të paraqitur disa zgjidhje për gjendjen në Irak: kërkoj ndihma humanitare të menjëherëshme, pastaj edhe çlirimin e këtyre fshatrave dhe mbrojtjen ndërkombëtare, për t’i ndihmuar këta njerëz të kthehen në shtëpitë e veta.








All the contents on this site are copyrighted ©.