2014-09-16 15:53:30

Papa: nëse nuk je pranë njerëzve e nuk u jep shpresë, predikimet janë kotësi


Mund të bëhen predikime të bukura, por po të mos jesh pranë njerëzve, po të mos vuash me njerëzit e po të mos u japësh shpresë, predikimet nuk vlejnë fare, janë kotësi: këtë theksoi Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në ditën kur Kisha përkujton shenjtorët Korneli Papë e Çipriani, ipeshkëv: martirë.RealAudioMP3

Ungjilli i sotëm flet për Jezusin, që i afrohet turmës, gjatë një funerali. Një vejushë nga Nain ka humbur të birin e vetëm. Zoti bëri mrekulli. E riktheu të vdekurin në jetë, kujoi Papa, por bëri edhe më shumë: ishte pranë njerëzve. Hyji e vizitoi popullin e Tij. Kur Zoti vjen për vizitë, me të vjen gjithnjë diçka më shumë, diçka e re.Vizita e Tij do të thotë se aty ku është Ai, aty është edhe shpresa. Jezusi ishte e është pranë:
“Ishte pranë njerëzve. Hyj i pranishëm, që e kuptpn zemrën e njerëzve, zemrën e popullit të vet. Pastaj shikon varganin mortor e afrohet. Hyji e viziton popullin e vet, është në mes të popullit, me afërsi. Afërsia. Është mënyra e Hyjit. E pastaj është një shprehje, që përsëritet në Bibël, shumë herë: ‘Zotin e pushtoi një mëshirë e madhe’. E njëjta mëshirë, thotë Ungjilli, që pati kur i pa njerëzit si delet pa bari. Kur Hyji viziton popullin e vet, kur është pranë tij, i afrohet e ka mëshirë: preket”.
Zoti, vijoi Papa, është thellësisht i prekur, ashtu si ishte pranë varrit të Lazrit. E ashtu si u prek babai, kur pa duke u kthyer në shtëpi djalin e vet plangprishës:
“Afërsi e mëshirë: kështu e viziton Zoti popullin e vet. E kur ne duam të kumtojmë Ungjillin, të çojmë përpara Fjalën e Jezusit, kjo është udha. Udha tjetër është ajo e mësuesve, predikatarëve të kohës: doktorëve të ligjit, skribëve, farizenjve… Larg popullit, flisnin… mirë: flisnin mirë. Jepnin mësime mbi ligjin, i jepnin mirë. Po ishin larg. E kjo nuk ishte vizita e Zotit: ishte tjetër gjë... Populli nuk e ndjente praninë e tyre si hir, sepse mungonte afërsia, mungonte mëshira, mungonte zemra, që vuan me popullin e vet”.
E është edhe një fjalë tjetër, nënvizoi Françesku, që përdoret për të përshkruar çastin kur Zoti viziton popullin e vet: “I vdekuri u ul ndenjur e nisi të flasë, e Ai, Jezusi, ia ktheu nënës së tij”:
“Kur Hyji viziton popullin, i rikthen popullit shpresën. Gjithnjë. Mund të predikohet Fjala e Zotit shkëlqyeshëm; në histori ka pasur gjithnjë predikatarë të aftë. Por nëse këta predikatarë nuk ia dolën mbanë të mbjellin shpresë, do të thotë se predikimi i tyre nuk i shërben askujt. Është kotësi”.
Duke parë Jezusin, që ia kthen nënës birin e vetëm, gjallë, përfundoi Papa, mund të kuptojmë ç’do të thotë “Zoti viziton popullin e Tij”. E t’i këkojmë hirin, që dëshmia jonë e krishterë të mbartë vizitën, që i bën Zoti popullit të vet, afërsinë, që mbjell shpresë.









All the contents on this site are copyrighted ©.