Papa në Shqipëri. Atë Lombardi: në plan të parë, martirët e dialogu ndërfetar
U mbajt sot paradite, në Sallën vatikanase të Shtypit, një takim i Atë Federiko Lombardit,
kushtuar shtegtimit apostolik në Shqipëri, në program për të dielën e ardhshme, 21
shtator. Është shtegtimi i katërt ndërkombëtar i Atit të Shenjtë, i pari në një shtet
evropian. Zëdhënësi i Vatikanit theksoi se ky shtegtim do të ketë si tema kryesore
fenë e martirëve dhe dialogun ndërfetar. Pohoi gjithashtu se nuk ka kërcënime të veçanta
nga pala islamiste kundër Papës.
Shtegtim i
shkurtër, njëditor, por tejet i ngarkuar me ngjarje, që ka në zemër fenë e martirëve
të mbytur nga komunizmi i pa Zot dhe inkurajimin e dialogut e të bashkëjetesës ndërmjet
feve. Ky, thënë me dy fjalë, është qëllimi i shtegtimit apostolik të Papës Françesku
ndër shqiptarë. Zgjedhje, që nënvizon sa shumë i ka për zemër Papa periferitë: “Shkasi
i parë është ai i nderimit të martirëve të rënë për fenë, në këtë vend, që iu nënshtrua
persekutimit të tmerrshëm nga ana e komunizmit ateist. Konsiderohej shteti i parë
ateist në botë, që e vuri vulën e ateizmit edhe mbi Kushtetutë. E, siç e kujtoi vetë
Papa, në sa ktheheshim nga Koreja, ajo që i intereson më shumë, është klima e bashkëjetesës
ndërfetare, pozitive, e qetë, e harmonishme, aq sa kjo bashkëjetesë ndërmjet feve
të ndryshme në Shqipëri, mund të tingëllojë si mesazh edhe për vendet e tjera, për
pjesët e tjera të botës”. Përsa i përket programit, përqendrohet në Tiranë,
ku Papa do të mbajë 6 fjalime, të gjitha në gjuhën italiane. Çastet kryesore, pas
ceremonisë së mirëseardhjes, në Pallatin presidencial, do të jenë Mesha në Sheshin
e madh të Tiranës, kushtuar Nënë Terezës, takimi ndërfetar në Universitetin katolik
të “Zojës së Këshillit të Mirë” dhe Lutjet mbrëmësore në katedralen e re të Tiranës,
ku do të ndiqen edhe dëshmitë e atyre pak njerëzve, që dolën gjallë nga persekutimi
komunsit. Papa do të vizitojë edhe Qendrën Betania, strehë për fëmijë të gjymtuar
e të braktisur. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve: “a ka ndonjë rrezik
nga ana e Shtetit Islamik (Is) dhe grupeve të tjera xhihadiste kundër Papës”, atë
Lombardi u përgjigj: “Jo, nuk ka. Do të shkojmë të qetë, do të përdoret xhipi
i Sheshit të Shën Pjetrit në takimin kryesor me njerëzit, duke e ditur se Papa dëshiron
të mos ketë asnjë pengesë, kur është fjala për këtë takim, mes njerëzve”. E
Lumja Nënë Terezë dhe Shën Karol Vojtila do të jenë dy figurat e mëdha, që do ta shoqërojnë
e do ta mbrojnë këtë shtegtim. Atë Lombardi kujtoi posaçërisht shtegtimin e paharrueshëm
të Gjon Palit II, më 25 prill 1993, kur Papa Shenjt rindërtoi hierarkinë katolike
shqiptare, asgjësuar plotësisht nga regjimi komunist. Me atë rast, Papa Vojtila shuguroi
4 ipeshkvij shqiptarë: “Ia vlen ta rikujtojmë këtë shtegtim jashtëzakonisht
emocionues, edhe për të gjithë ata, që morën pjesë: fjalime tejet të forta; ju këshilloj
t’i rilexoni… mund të rilexohen të gjitha, sepse nuk ishin shumë. Sidomos ai i pasdites,
në Shesh, me reflektimin për përvojën e ateizmit, që deshi të mohojë Zotin e të rrënojë
njeriun dhe me perspektivën e re, që po hapej. Ja, pra, shtegtimi i Gjon Palit II
është natyrisht në kujtesë, ndërsa tani po jetojmë këtë shtegtim të ri të Papës Françesku
në Shqipëri".