2014-09-13 15:13:50

Lutja për të rënët që pushojnë në paqe në Mauzoleun e Redipuglia-s


O Zot!
Hyj i ushtrive, lumnia e pushteti yt pasqyrohen në harmoninë e mrekullueshme të gjithësisë: Ti, që i prive popullit tënd kah toka e premtuar në renë e ndritshme të mbrojtjes sate qiellore, pranoi në dritën e pambaruar shpirtrat e këtyre të shuarve të dashur e heroikë që, duke u flijuar, e mbollën Flamurin tringjyrësh të Atdheut në caqet e shenjta shënuar prej Teje. Jepu, o Zot, dritën e pambaruar të rënëve e ngushëllimin njerëzor, të dashurve të tyre.
Premto, o Zot, që të gjithë italianët, duke ngjitur shkallët e lavdisë së këtij nekropoli të Atdheut, që ruan eshtrat e bijve të tij më të mirë, ta ndjejnë dhembshurinë e krishterë, krenarinë atdhetare për vetëmohimin e tyre e t’i rijetojnë virtytet heroike, që u prinë në udhën e flijimit në lule të rinisë, mbi Altarin e Atdheut.
Pranoje, o Zot, këtë flijim, të kryer me bujarinë e dashurisë e hovin e fesë. Bëje të tingëllojë si qortim për të gjithë italianët, duke u treguar deri në ç’masë duhet dashur Atdheu e të vlejë për t’u kujtuar, në mënyrë të posaçme, atyre që harrojnë shpejt, se të gjithë duhet ta duan e ta mbrojnë atdheun, që nuk mund të tradhtohet, pa tradhtuar gjakun e bijve të tij më të mirë!
O ju, të vdekur të dashur, që shpresojmë se jetoni pranë Zotit në dritën e amshuar të Shenjtorëve e që, me vlerën tuaj heroike, jeni më të denjët për të folur, më të denjët për të ndërmjetësuar për ne, ju, shumica të paemër, për ta bërë, me përvujtëri heroike, më autoritar zërin tuaj, na e nxirni nga Hyji hirin që në qiellin e ndritshëm të Italisë, tokë-fanar e shenjtërisë e gjenialitetit në shekuj, të ndriçojnë gjithnjë tri drita të mëdha, të ngrohin tri dashuri: për Zotin, për Atdheun, për Familjen!








All the contents on this site are copyrighted ©.