2014-09-13 15:12:47

Kardinali Parolin: Shqipëria, shembull dialogu ndërmjet feve


Tema e bashkëjetesës fetare është tepër e dashur për Papën e posaçërisht e rëndësishme në këto kushte historike, që po jeton njerëzimi. Kështu u shpreh sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke folur, dje pasdite, në Romë, në një kuvëndim kushtuar tolerancës fetare në Shqipëri. Prelati i lartë kujtoi dëshminë e çmuar, që dhanë katolikët shqiptarë gjatë viteve të komunizmit. Kisha katolike në Shqipëri, theksoi, dha një kontribut të jashtëzakonshëm, me martirizimin dhe vuajtjen, e do të ishte tejet e vështirë, në mos e pamundur, ta konceptoje lindjen e Shqipërisë moderne, pa bashkëpunimin e realiteteve të ndryshme fetare, që bashkëjetojnë paqësisht: katolikë, ortodoksë, myslimanë sunnitë e myslimanë bektashi. Pajtimi ndërmjet njerëzve e popujve, shtoi më pas kardinali, bazohet mbi faljen e jo vetëm mbi kategoritë e drejtësisë njerëzore.Papa do ta vizitojë Shqipërinë të diel, më 21 shtator, vijoi, për t’u thënë mbarë popujve të botës se mund të punohet së bashku, duke kujtuar, më pas etërit themelues, të bindur se mund të ndërtohet një shoqëri me shumë fe. E historia u dha të drejtë. Shqipëria, sipas kardinalit Parolin, është shembull, në këtë drejtim. E ky shembull u bie ndesh gjithë atyre, që e përdorin fenë për të ndezur konflikte.







All the contents on this site are copyrighted ©.