2014-09-12 10:18:00

Papa Françesku më 25 nëntor do të vizitojë Parlamentin Evropian në Strasburg


Papa Françesku e pranoi ftesën për të vizituar Parlamentin Evropian në Strasburg e edhe për t’u drejtuar fjalën anëtarëve të tij, me rastin e një sesioni solemn. Lajmin e konfirmoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, pas njoftimit të kryetarit të Asamblesë, Martin Schulz. Vizita do të bëhet më 25 nëntor. Programi nuk është përcaktuar akoma, kujtoi atë Lombardi, duke saktësuar se nuk është fjala për vizitë në Francë, gjë që nuk i përjashton ftesa të tjera nga Franca.
Presidenti Schulz ia pati drejtuar ftesën Papës me rastin e vizitës së tij në Vatikan, më 11 tetor 2013. Pas takimit me Atin e Shenjtë, në një intervistë dhënë Radio Vatikanit, pati shpjeguar edhe arsyet e ftesës së tij:
“Sot jetojmë në një botë të globalizuar, në të cilën Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol nxitës, për të siguruar më shumë drejtësi, më shumë bashkëpunim. Duhet të jetë, prandaj, mjet për krijimin e një bote më të drejtë, më të ndershme, më të barabartë. E vendi, ku diskutohet për gjithë këtë, është pikërisht Parlamenti Evropian. Selia e Shenjtë dhe Papa kanë një ndikim të jashtëzakonshëm mbi ndryshimet, për të cilat kemi nevojë. Prandaj, një njeri me ndikim të tillë e rëndësi të tillë, duhet ta marrë fjalën pikërisht në këtë kontekst, në të cilin diskutohet roli i Evropës në botë. E kjo, edhe arsyeja për të cilën u përpoqa ta bind t’i drejtojë fjalën Parlamentit Evropian.










All the contents on this site are copyrighted ©.