2014-09-12 10:17:42

Françesku: kemi frikë t’i duam armiqtë, por na e kërkon Jezusi


Vetëm nëse kemi zemër të mëshirshme mund ta ndjekim me të vërtetë Jezusin. Kështu pohoi Papa Françesku në Meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se jeta e krishterë “nuk është jetë vetëpohuese”, por dhurim deri në fund, pa egoizëm. Vetëm kështu do të jetë e mundur t’i duam armiqë, siç na kërkon Zoti.RealAudioMP3
Doni armiqtë tuaj. Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke u ndalur tek pjesa e Ungjillit sipas Lukës, ku Zoti tregon udhën e dashurisë pa kufi. Jezusi, tha Papa, na kërkon të lutemi për ata që na keqtrajtojnë dhe e vuri theksin tek foljet që përdor Zoti: “Doni, bëni mirë, bekoni, lutuni” e “mos përjashtoni”. “Të dhurosh vetveten – pohoi – t’u japësh zemrën pikërisht atyre që na duan të keqen, armiqve: kjo është risia e Ungjillit”. Jezusi na thotë se nuk kemi asnjë meritë, nëse duam ata që na duan, se këtë e bëjnë edhe mëkatarët. Të krishterët, përkundrazi, janë të thirrur të duan armiqtë e vet: “Bëni mirë e jepni hua pa shpresuar asgjë, pa interes, e shpërblimi juaj do të jetë i madh”. Sigurisht, u shpreh Papa, “Ungjilli është risi. Risi e vështirë për t’u mbajtur, por kërkon të shkojmë pas Jezusit”:
“Atë, unë ... unë nuk dëshiroj të veproj kështu!’ – ‘Po, nëse nuk do, është problemi yt, por kjo është rruga e krishterë!’. Kjo është rruga që na mëson Jezusi. ‘E çfarë duhet të shpresoj?’. Ecni në udhën e Jezusit, që është mëshira; jini të mëshirshëm, siç është i mëshirshëm Ati juaj. Vetëm me një zemër të mëshirshme mund të bëjmë gjithçka na këshillon Zoti. Deri në fund. Jeta e krishterë nuk është jetë vetëpohuese; është jetë që del nga vetvetja për t’iu dhuruar të tjerëve. Është dhuratë, është dashuri, e dashuria nuk drejtohet kah vetja, nuk është egoiste: dhurohet”.
Jezusi, vijoi Papa, na kërkon të jemi të mëshirshëm e të mos gjykojmë. Shumë herë, pohoi, “na duket se jemi emëruar gjykatës të të tjerëve: me murmuritje, me thashetheme... gjykojmë gjithkënd”. Por Zoti na thotë: “Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni”. E në fund na kërkon të falim, sepse edhe do të na falet. “Çdo ditë – tha Françesku – e themi në lutjen Ati ynë: ‘na fal si falim ne’. Nëse unë nuk fal, si mund ta pyes Atin: ‘A më fal?’”.
“Kjo është jeta e krishterë. ‘Por, Atë, kjo është marrëzi!’ – ‘Po’. Kemi dëgjuar këto ditë Shën Palin, që thoshte të njëjtën gjë: ‘Marrëzinë e kryqit të Krishtit’, që nuk ka të bëjë fare me urtinë e kësaj bote. ‘Por, Atë, të jesh i krishterë do të thotë të bëhesh i marrë, në një farë kuptimi?’ – ‘Po’. Në një farë kuptimi, po. Do të thotë të heqësh dorë nga dinakëria e botës, për të bërë gjithçka na thotë Jezusi dhe, po t’i bëjmë llogaritë, po t’i masim mirë, nuk duket se janë në dobinë tonë”.
“Por kjo – tha Papa – është rruga e Jezusit: zemërgjerësia, bujaria, dhurimi i vetvetes pa u kursyer”. Për këtë, shtoi, “Jezusi erdhi në botë e kështu veproi edhe vetë: dhuroi, fali, nuk foli keq për askënd, nuk gjykoi”. “Të jesh i krishterë nuk është e lehtë”, theksoi Papa, dhe mund të bëhemi të krishterë vetëm me hirin e Hyjit, jo me forcat tona:
“E këtu vijmë tek lutja, që duhet të themi çdo ditë: ‘Zot, ma jep hirin të bëhem i krishterë i mirë, e krishterë e mirë, se nuk ia dal’. Kur e lexojmë këtë për herë të parë, na tremb, na tremb. Por... sikur ta marrim Ungjillin dhe ta lexojmë për herë të dytë, të tretë, të katërt kapitullin e katërt të Shën Lukës! Ta bëjmë këtë! E t’i kërkojmë Zotit hirin të kuptojmë çfarë do të thotë të jemi të krishterë. Por edhe hirin, që duhet të na e japë ai neve, të krishterëve, sepse vetë nuk mund t’ia dalim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.