Patriarku Sako: ndërhyrje ndërkombëtare, të vetëm nuk mund të bëjmë asgjë
Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, Louis Raphael Sako, foli në takimin e organizuar
nga Bashkësia e Shën Egjidit në Anversë të Belgjikës. Foli për fenë e patundur të
të krishterëve irakianë, që mbahen fort në këmbë, pavarësisht nga persekutimet. E
intervistuam:
Përgjigje:
- Jemi të fortë, sepse për ne feja, besimi, nuk është teologji, nuk është spekulim.
Të besosh, do të thotë të duash. E kjo është ndryshe. Këtu, në Evropë, për fat të
keq, njerëzia mendon se besimi është vjetëruar, i ka kaluar koha. Kjo zbraztësi këtu,
është tejet e rrezikshme për ne, atje. Njerëzit na thonë se krishterimi në Perëndim
ka marrë fund: po kjo nuk mund të jetë e vërtetë! Shkandullohen. Thonë: “Atëherë,
pra, krishterimi nuk qenka feja e vërtetë! Qenka Islami. Duhet islamizuar bota”. Mendoj
se këta të rinjtë xhihadistë, që vijnë nga perëndimi për të hyrë në Is e në grupe
të tjera, janë edhe më të rrezikshëm sesa arabët, sepse kërkojnë një ideal, kërkojnë
të formojnë një Shtet islamik, që ka moral e ideale. Ballë për ballë me një botë,
që i ka humbur…
Pyetje: - Si i përgjigjeni gjithë kësaj? Me ftesën për
dialog e paqe, siç po bëhet këtu, në Anversë?
Përgjigje: - Janë dy nivele.
Kur flasim për paqen, kuptojmë ç’është paqja e dialogu. Por tjetri duhet ta dijë,
duhet të jetë i vetëdijshëm ç’do të thotë dialog e paqe; duhet të angazhohet jo vetëm
me fjalë, por me jetë. Për fat të keq, nganjëherë, gjuha e disave është me dy teha:
“Feja jonë (myslimane), thonë, është fe e paqes e tolerancës…”. Por gjërat duhen lexuar
në mënyrë simbolike, duhen lidhur me rrethanat e tyre historike; sot nuk mund t’i
marrim gjërat e t’i vëmë në jetë fjalë për fjalë, sepse kohët kanë ndryshuar. Duhet
bërë si bëjmë ne me Biblën. Kemi një interpretim, një ekzegjezë, e edhe ata duhet
ta bëjnë këtë për formimin në shkolla, për formimin e breznive të reja, përndryshe,
Islami nuk ka ardhmëri: duhet ta kuptojnë për ku janë nisur. Kudo ka probleme, kudo
dhunë… që i nxit të krishterët të vihen në ikje. E kur nuk kanë më të krishterë për
të vrarë, xhihadistët u sulen vëllezërve të tyre. Vrasin myslimanë! E kanë bërë tashmë
e vijojnë ta bëjnë. Mendoj se bota myslimane po jeton një krizë të thellë….
Pyetje:
- Për t’u çuditur, kur dëgjon se Bota myslimane, që është këtu, flet me fjalë
të tjera: kërkon takim, e hedh poshtë dhunën…
Përgjigje: - Nuk janë
realistë. Duhet pasur guxim për t’i thënë gjërat, ashtu siç janë e për të kërkuar
rrugëzgjidhjet e duhura. Ata duhet të mësojnë nga përvoja jonë: nëse Islami dëshiron
të pranohet e të ketë të ardhme, duhet të përtërihet. Sot, me këtë mendësi, me këtë
ideologji që lufton kundër jetës, kundër kulturës… Ku e shikoni ju realizmin e saj?
Pyetje:
- Ju, si mendoni se mund të ndalet dhuna e Islamit të Is?
Përgjigje:
- Ndihmohet nga shumëkush; kanë para, shumë, kanë armë të sofistikuara, kanë shumë
ushtarakë. Nga vijnë? Pse? Çfarë duan? Ç’u kanë bërë të krishterët? Të krishterët
e Lindjes së Mesme kanë kontribuar shumë, shumë, për kulturën arabe e myslimane. Duhen
riedukuar njerëzit, për të jetuar së bashku, me përgjegjësi, me respekt. Qyteraria?
Ka marrë fund sot! Sot ka dalë në plan të parë feja. Feja e parë, e dytë, e tretë….
A ju duket e drejtë një matematikë e tillë?
Pyetje: - Ç’po bën Shteti
irakian për t’i mbrojtur qytetarët e tij të krishterë?
Përgjigje: -
Duhet një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare, para së gjithash. Qeveria qëndrore është
krejt e paaftë, edhe pse tani kontrollon vetëm gjysmën e vendit. Kontrollon Bagdadin
e jugun… Po Mosuli, Ramadi, Kurdistani? Është ushtri profesionistësh, janë shumë milicë…
Gjithçka është sektare. Is është shtet shumë i fuqishëm, tejet i përgatitur, i mirëarmatosur.
Këtë duhet ta dinë të gjithë, sepse është për të mirën e të gjithëve.