2014-09-10 16:49:44

Papa në audiencën e përgjithshme: thelbi i Ungjillit është mëshira


Udha e mëshirës, udhë jete, është themelore për shëlbimin. E kjo, edhe qendra e katekizmit të Papës në audiencën e sotme të përgjithshme, vijim i reflektimit, kushtuar konceptit të Kishës Nënë. Në përshëndetjet e përgjithshme, Françesku kujtoi përsëri krizën në Siri e në gjithë Lindjen e Mesme, ndërsa para se të arrinte në Sheshin e Shën Pjetrit, përshëndeti një grup të sëmurësh e çubardhësh të vegjël.RealAudioMP3

Sipas shembullit të Mësuesit të vet, Kisha është mësuese e mëshirës, sepse i bën ballë urrejtjes, me dashuri; e mund dhunën, me falje; u përgjigjet armëve, me lutje! Në një kontekst përplot me konflikte ndërkombëtare, mendimi i Papës shkoi tek popullsitë e Sirisë e të Lindjes së Mesme, të cilave iu drejtua me fjalë prekëse e përplot me mirënjohje për besnikërinë e tyre ndaj Krishtit e Kishës së Tij:
“Zoti jua shpërbleftë besnikërinë tuaj, ju dhëntë zemër në luftën kundër forcave të djallit e ua haptë sytë atyre, që janë verbuar nga e keqja, që të shikojnë sa më parë dritën e së vërtetës e të pendohen për gabimet. Zoti ju bekoftë e ju mbrojtë përgjithmonë e jetës!”.
Në reflektimin për veprat e mëshirës, themelore për shëlbimin, Papa kujtoi se nuk mjafton të duam, atë që na do. Nuk mjafton t’i bëjmë mirë, kujt na bën mirë:
“Për t’ia ndryshuar faqen botës, duhet t’i bëjmë mirë atij, që nuk mund të na e shpërblejë të mirën, siç bëri Ati qiellor me ne, duke na dhuruar Jezusin. Po sa paguam ne për shpëtimin tonë? Asgjë, gjithçka e morëm falas! Të bëjmë mirë, prandaj, pa pritur të na e kthejnë me të mirë, pa kërkuar shpërblim. Kështu bëri Ati qiellor me ne e kështu duhet të bëjmë edhe ne. Bëje të mirën e hidhe në det!”
Vetë Jezusi na e përmbledh me dy fjalë mësimin e tij. Sipas Ungjillit, shpjegoi Papa, themelore është mëshira. Kisha, prandaj, sillet si Zoti i vet, duke i edukuar bijtë me mësimin themelor, për t’ua transmetuar bijve të tyre kuptimin dhe gëzimin e të jetuarit, sepse i krishteri duhet të jetë doemos i mëshirshëm. Na mëson vetë Jezusi, që…
Nuk jep mësime teorie për dashurinë, për mëshirën. Nuk përhap nëpër botë ndonjë filozofi, nuk tregon udhë diturie…. Natyrisht, krishterimi është edhe gjithë sa thamë më sipër, por për pasojë... Kisha nënë, ashtu si Jezusi, jep mësime me shembull e fjalët i shërbejnë për të ndriçuar kuptimin e gjesteve të saj”.
E gjestet, veprimet konkrete të Kishës, janë: t’i japë të hajë të uriturit; të pijë, të eturit; të veshë, të zhveshurin… E dëshmojnë këtë shumë shenjtorë e shenjtore që, shtoi Papa, e bënë këtë në mënyrë shembullore, por edhe shumë etër e nëna, që i mësojnë fëmijët të mos e shpërdorojnë, atë që tepron, sepse mund të shuajë urinë e shumkujt, që nuk ka as bukën e përditshme në sofër. Duke kujtuar një nënë, që e pati njohur kohë më parë, Françesku i ftoi të gjithë ta ndajnë bashkë diçka, të japin diçka nga vetja e t’i mësojnë edhe të tjerët ta bëjnë këtë:
“Në familjet e krishtera më të thjeshta, mikpritja ka qenë gjithnjë e shenjtë. Në këto familje nuk mungon kurrë një pjatë më shumë, e as një krevat për mikun e orëve të vona, e kohëve të vështira”.
Pastaj Kisha nënë na mëson ta ndihmojmë gjithnjë njeriun e sëmurë; kështu i shërbyen Jezusit shenjtorët, por edhe gratë e burrat e thjeshtë, që e vënë çdo ditë në jetë këtë vepër mëshire në ndonjë skutë dhimbjesh, në ndonjë spital, në ndonjë shtëpi të moshuarish, ose në shtëpinë e vet, duke ndenjur te koka e njeriut të sëmurë, që vuan, që nuk mund ta përballojë sëmundjen vetëm. E na mëson edhe të jemi pranë atyre që janë të mbyllur në burgje:
Secili nga ne mund të bëjë, atë që bëri burri a gruaja, që është në burg. Të gjithë mëkatojmë e gabojmë në jetë. Njeriu ndër pranga, nuk është më i keq se unë e se ti! Mëshira e Kishës nënë kapërcen çdo mur, çdo pengesë e të nxit gjithnjë të kërkosh fytyrën e njeriut, të personit. E është pikërisht mëshira, ajo që i shndërron zemrat e jetën, që mund ta rilindë njeriun e t’i krijojë mundësinë të rikthehet, në mënyrë krejt të re, në gjirin e shoqërisë”.
Kisha nënë na mëson edhe t’i rrijmë pranë njeriut të braktisur, që vdes në vetmi. Mëshira, vijoi Papa, i jep paqe, atij që niset e atij, që mbetet, duke i bërë ta ndjejnë fort se Zoti është më i madh se vdekja e se po të rrish në Të, edhe çasti e fundit nuk është ai i ndarjes, që nuk ka më të kthyer, nuk është ai i lamtumirës. Përshndetjes së fundme “lamtumirë”, ia zë vendin përshëndetja ‘mirupafshim”! Këtë e kanë kuptuar shumë të krishterë. Prandaj nuk kanë frikë t’u shtrëngojnë dorën atyre, që përgatiten ta lënë këtë botë.

Në përshëndetjet përfundimtare, duke i ftuar besimtarët të jenë bujarë e të shikojnë për rreth, sepse është gjithnjë dikush që ka nevojë për një dorë të shtrirë, për një buzagaz, për një gjest dashurie, Papa Françesku kujtoi, ndërmjet të tjerëve, Motrat Misionare të Fesë; dioqezën e Trevizit, në 100-vjetorin e vdekjes së Shën Piut X, Papës së zellit të madh baritor; shtegtarët e Modenës e të Reggio-s, në Sheshin e Shën Pjetrit për ta falënderuar Atin e Shenjtë për lumnimin e seminaristit Rolando Rivi, dëshmitar heroik i Krishtit e i Ungjillit të Tij, oficerët e detarët e Skuadrës së angazhuar në operacionin “Mare Nostrum”, të cilët Françesku i falënderoi për veprimtarinë e admirueshme në ndihmë të shumë vëllezërve, në kërkim të shpresës. Së fundi kujtoi se të premten e ardhshme do të kremtohet festa e Emrit të Shenjtnueshëm të Marisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.