2014-09-09 15:35:28

Sinodi mbi familjen: 253, pjesëmarrësit, ndërmjet tyre, 14 çifte bashkëshortësh


Do të jenë 253, pjesëmarrësit në Sinodin e tretë të jashtëzakonshëm për familjen, në program, në Vatikan, nga 5 deri më 19 tetor. Ndërmjet tyre, 14 çifte, specialistë e dëgjues. Njoftimin e jep Sekretaria e përgjithshme e Sinodit, që sot botoi edhe listën zyrtare të pjesëmarrësve. I pranishëm, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Anxhelo Massafra.

Sinod do të thotë të vihesh për udhë: e Kisha universale po vihet për udhë, nga të pesë kontinetet, drejt Selisë së Pjetrit, ku do të reflektojë për “Sfidat baritore mbi familjen në rrethanat e ungjillëzimit”. 253 pjesëmarrësit në Sinod, i treti i jashtëzakonshëm në historinë e Asamblesë, pas atyre të vitit 1969 e 1985, kushtuar përkatësisht lidhjeve ndërmjet Konferencave ipeshkvnore e kolegjialitetit të ipeshkvijve si dhe zbatimit të Koncilit II të Vatikanit.
Etërit sinodalë do të jenë 191; ndërmjet tyre, 25 krerë dikasteresh të Kurjes dhe 114 kryetarë Konferencash Ipeshkvnore: 36 nga Afrika, 24 nga Amerika, 18 nga Azia (për Kinën do të jetë kryeipeshkvi i Taipei, imzot Shan-Chuan), 32 nga Evropa e 4 nga Oqeania,
62 do të jenë pjesëmarrës të tjerë, duke përfshirë edhe 8 delegatë vëllezër: ndërmjet tyre, edhe Hilarioni, kryetar i departamentit për marrëdhëniet e jashtme pranë Patriarkanës së Moskës.
Nga Kishat lindore do të jenë të pranishëm trembëdhjetë përfaqësues, të ardhur nga vendet në konflikt, si Iraku, Ukraina, përfaqësues të Patriarkut kalde Louis Sako e të kryeipeshkvit të madh greko-katolik Shevchuk. Trembëdhjetë, edhe bashkëshortët, që do të bëjnë pjesë në grupin e 38 dëgjuesve, të pranishëm në sallë, me të drejtë fjale, por jo vote. Dy çifte të tjera do të jenë bashkë me 16 specialistët, apo bashkëpunëtorët e Sekretarit të posaçëm. Ndërmjet anëtarëve, emëruar nga Papa, është ati jezuit Antonio Spadaro, drejtor i revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica”.
Gjatë dy javëve të punimeve, pjesëmarrësit në Asamble do të reflektojnë për Dokumentin e punës, që është shpërndarë që në qershorin e kaluar. Qëllimi, shpjegon kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, është t’i propozohet botës së sotme bukuria dhe vlerat e familjes, që burojnë nga kumtimi i Jezu Krishtit: kumt larg çdo frike, pranë çdo shprese.








All the contents on this site are copyrighted ©.