2014-09-09 15:37:15

Papa, Bashkësisë së Shën Egjidit: lufta nuk i ndreq padrejtësitë


“Respekti reciprok, dialogu e bashkëpunimi, ndihmojnë për ta zhdukur fantazmën e konfliktit të armatosur”. Janë këto disa nga fjalët, shkëputur nga mesazhi që Papa Françesku u drejtoi liderëve fetarë botërorë, mbledhur në takimin e tyre të përvitshëm, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, sivjet me titull: “Paqja është ardhmëria”. Teksti i Papës u lexua gjatë ceremonisë së hapjes në takimin, që përfundoi sot, në Anversë të Belgjikës.
Respekti, dialogu e bashkëpunimi, janë armët e nevojshme për t’i zhdukur luftërat. Papa e ka fjalën për konfliktet që gjakosin ditët tona, duke nisur nga mësimi i dhënë njëqind vjet më parë nga shpërthimi i Luftës I Botërore. Ky përvjetor, thekson Françesku, na mëson se lufta nuk është kurrë mjet i përshtatshëm për të ndrequr padrejtësisë e për t’i zgjidhur drejt konfliktet politike e shoqërore. Çdo luftë, vijon Françesku, duke cituar fjalët e Benediktit XV, shkruar në vitin e largët 1917, “është kërdi e kotë”. Lufta është qerthull dhune, që pastaj u del dore atyre që e nisën e, duke mos mundur ta kontrollojnë, nisin të rrënojnë gjithçka ndërtuan me mundim brezni të tëra, u përgatit udhën e padrejtësive të reja e u hap portën konflikteve edhe më të këqija.
Papa nuk kujton drejtpërdrejt asnjë vend konflikti, por flet për luftëra që edhe sot i tronditin rëndë njerëzit, duke shkatërruar jetën e të rinjve e të pleqve, duke helmatisur bashkëjetesën e grupeve të ndryshme etnike e fetare e duke i detyruar bashkësit të tëra të enden pa cak. E para gjithë kësaj vuajtjeje, askush nuk e mund e nuk duhet të qëndrojë indiferent. Posaçërisht Bashkësitë fetare që, të bashkuara nga Shpirti i Asizit, mund të japin një kontribut të çmuar për paqen, me forcën e lutjes e të dialogut. Lufta, nëvizon Papa, nuk është kurrë e nevojshme e nuk është as e pashmangshme. Mund të gjindet gjithnjë alternativa: udha e dialogut, e takimit, e kërkimit të sinqertë të së vërtetës.
Françesku i fton liderët fetarë, mbledhur në Anversë të Belgjikës, të bashkëpunojnë me fryt në përpjekjen për t’i mbyllur plagët e për t’i zgjidhur konfliktet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.