2014-09-09 15:35:40

28 shtator, Dita e lutjes për Sinodin kushtuar familjes


Papa shpalli të dielën, 28 shtator, Ditë lutjeje për Asamblenë e tretë të Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet në Vatikan, nga 5, deri më 19 tetor, me temë: “Sfidat baritore mbi familjen, në kontekstin e ungjillëzimit”. Sinodi i ipeshkvijve i fton Kishat e veçanta, bashkësitë famullitare, Institutet e jetës rregulltare, shoqatat e lëvizjet, të luten gjatë kremtimeve eukaristike si dhe në çaste të tjera kremtore, në ditët, që i paraprijnë Sinodit e gjatë zhvillimit të tij.
Në Romë do të ketë çdo ditë lutje në Kapelën e Zojës “Salus Populi Romani” (Shpëtimi i Popullit Romakë), në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Besimtarët mund të bashkohen me lutjet e tyre personale, në këtë ndjet, posaçërisht në familje. Besimtarëve u drejtohet ftesa ta thonë Rruzaren Shenjte për punimet sinodale. Pas pak ditësh do të botohet, në gjuhë të ndryshme, një doracak ndihmës, nën kujdesin e Sekretarisë së Sinodit të Ipeshkvijve, me Lutjen drejtuar Famijes së Shenjtë për Sinodin, hartuar nga Papa Françesku për të dielën e Familjes së Shenjtë, më 29 dhjetorin e kaluar.
Në këtë lutje, Papa kërkon që familjet tona të bëhen vatra bashkimi, ku të mos ketë kurrë dhunë, moskuptim, përçarje. I lutet Familjes Shenjte të Nazaretit për Sinodin e ardhshëm të Ipeshkvijve, që të zgjojë në zemrat e të gjithëve vetëdijen e karakterit të shenjtë e të padhunueshëm të familjes dhe bukurinë e saj, në planin e Zotit. Papa ia beson Familjes së Nazaretit punimet sinodale, me lutjen kushtuar familjeve të mbarë botës, shkruar nga ai vetë. E në uratë, i lyp Zotit t’i bëjë edhe familjet tona, vatra bashkimi e çenakuj lutjeje, shkolla të vërteta të Ungjillit e Kisha të vogla shtëpiake.








All the contents on this site are copyrighted ©.