2014-09-08 15:00:43

Rubrika: Papa Françesku në Tiranë, më 21 shtator: Kisha e populli, në pritje…


Atmosferë pritjeje, në Shqipëri: Kisha e mbarë populli pret Françeskun, Papën e dytë që shkel në trojet shqiptare, duke tërhequr mbi vendin e vogël, vëmendjen e opinionit botëror, që e ndjek Atin e Shenjtë kudo që shkel.RealAudioMP3 Është shtegtimi i parë i Françeskut në Kontinentin evropian, e natyrisht, edhe në Ballkan. Po ç’e tërhoqi vëmendjen e Papës në drejtim të këtij vendi të vogël, emri i të cilit shpesh u dëgjua, sa për mirë, aq edhe për keq? Vetë Papa i shpjegoi arsyet kryesore të kësaj vizite, më 19 gushtin e kaluar, në një konferencë shtypi, gjatë shtegtimit nga Koreja e Jugut, në Vatikan. Papa dëshiron, sidomos, t’i tregojë solidaritetin e ta inkurajojë popullin shqiptar. Por kryesisht, Françesku dëshiron të kujtojë në lutje viktimat e regjimit komunist në Shqipëri, regjim që mbronte me Kushtetutë ateizmin praktik, që dënonte si antikushetuese kremtimin e ndjekjen e meshës e që, gjithnjë nën hijen e kushetutës, rrënonte kisha, vende kulti e institucione fetare: 1. 820 vetëm kishat e krishtera, të rrënuara e të dhunuara. Pa llogaritur, këtu, rrënimin e mijëra shpirtrave.
Kombi i parë evropian, që do të vizitohet nga Papa gjatë papnisë së tij, nuk është në qendër të forcës gjeopolitike, as ekonomike. Është vend fare i vogël, që ecën në rrugët e jetës duke mbartur mbi shpatulla barrën e historisë së vet të trazuar. Ipeshkvijtë shqiptarë, si e përshëndetën me gëzim të madh vendimin e Papës për të shkuar për vizitë, ndonëse për pak orë e vetëm në kryeqytet, e quajtën këtë shtegtim “shenjë të lartë nderimi për martirizimin e besimtarëve shqiptarë”. Por, nëse Shqipëria njihet si tokë e persekutimeve të egra, gjakatare fetare, prej vitesh është bërë e njohur edhe si toka e bashkëjetesës ndërmjet feve kryesore: ortodokse, katolike e myslimane. Bëhet, kështu, shembull, krejt në kundërshtim me atë, që po ndodh sot, pakëz më në Jug të saj, në Lindjen e Mesme, e njëkohësisht, dëshmi konkrete, siç e nënvizoi edhe Ipeshkvi i Romës. Shqipëria e vogël i tregon botës së kacafytur se është e mundur të jetohet e të punohet krah për krah, pavarësisht nga përkatësia fetare.
Kanë kaluar 21 vjet nga vizita e Shën Gjon Palit II në trojet shqiptare. Françesku do të gjejë një Kishë të ndryshme, nga ajo, që gjeti Papa Vojtila. Papës polak iu desh ta rindërtonte hjerarkinë e vogël kishtare, të rrënuar plotësisht nga regjimi komunist, që që të dilte dikush e ta priste. Sot Bergolio do të gjejë një Kishë që lëshon shtat, me meshtarë të rinj, me solidaritet, me edukim e katekizëm. Kishë në rilindje. Prej këndej, Papa do të mund të nderojë gjestin profetik të paraardhësit, që e zgjodhi Shqipërinë e vogël, për ta rikthyer plotësisht në vendin, që i përkiste, përkatësi që diti ta mbrojë me gjak martirësh.
Vendi i vogël është në pritje. E ne, me mikrofonin tonë, do të mundohemi ta pasqyrojmë këtë atmosferë, deri tek dita e 21 shtatorit e përtej.









All the contents on this site are copyrighted ©.