2014-09-08 14:59:20

Ati i Shenjtë, besimtarëve kubanë: Maria na mëson t’ia kushtojmë gjithë jetën Krishtit, pa frikë e pa droje


“Maria e zgjeron shpirtin e atyre, që i luten me devocion, sepse u prin kah Jezusi”: këtë thekson Françesku në një mesazh, drejtuar Kishës kubane, me rastin e Festës së Zojës së Dashurisë së Krishterë të Kobres, që kremtohet më 8 shtator. Mesazhi i drejtohet imzot Dionisio Guillermo García Ibáñez, kryeipeshkëv i Santiagos së Kubës e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore kubane.
Vetëm pak ditë më parë, shtatorja e Zojës së Kobres u vendos në Kopshtet e Vatikanit. Prania e saj, shkruan Papa, na kujton dashurinë dhe gjallërinë e Kishës shtegtare në tokat e ndritshme të Karaibeve, që prej më se katër shekujsh i drejtohet Nënës së Zotit me titullin e bukur “Zoja e Dashurisë së krishterë e Kobres”. Papa Françesku e përshkruan Marinë, duke u mbështetur mbi tri folje, që kujtohen në Ungjill: “gëzoju, ngreju, ngulmo”.
Gëzoju, vëren, ishte fjala e parë që Kryeengjëlli Gabriel i drejtoi Marisë. “Gëzoju, o Hirplote, Zoti është me ty!” (Lk 1,28). Jeta e njeriut, që zbulon Jezusin, mbushet përplot me një gëzim të papërshkrueshëm, që askush nuk mund t’ia rrëmbejë. Krishti i jep forcën e nevojshme për ta mposhtur çdo trishtim, për ta kapërcyer çdo vështirësi, duke i kujtuar se nuk ka problem, sado i madh të jetë, që të mos ketë rrugëzgjidhje.
Papa i inkurajon kubanët, posaçërisht të rinjtë, të jetojnë duke dashur me të vërtetë, larg qerthullit të rrezikshëm sy për sy e dhëmb për dhëmb. I nxit të duan me vepra të përditshme dashurie, jo me fjalë boshe, që i merr era.
Françesku i fton kubanët ta jetojnë atë që mësojnë nga Maria: ta ndajnë gëzimin e krishterë me të gjithë. E t’i ndihmojnë të gjithë, posaçërisht ata, që përpëliten në vuajtje e mundime. Në duart e saj amtare, përfundon Françesku, po e lëshoj bashkësinë fetare e besimtarët e Kubës, që ajo t’u japë zemër në veprimtarinë e palodhur për ungjillëzimin e edhe vullnet, për ta bërë dashurinë bazë të jetës shoqërore. Kështu nuk do t’u mungojë kurrë gëzimi i jetës, guximi i shërbimit, ngulmimi në veprat e mira.
Kujtojmë se Shenjtërorja e Zojës së Kobres në Santiago të Kubës është vend shtegtimesh. Gjithçka nisi në vitin 1606, kur tre peshkatarë (dy indianë, Juan e Rodrigo de Hoyos dhe një skllav zezak, Juan Moreno) gjetën një shtatore prej druri të Zojës, që pluskonte mbi ujërat e Bahía de Noipe. Tek këmbët e saj shkruhej “Jam Zoja e Dashurisë së Krishterë”. Shtatorja u mbart në minierën e bakrit të El Cobre dhe, në të njëjtin lokalitet, më 1684, u ngrit shenjtërorja e parë. Më 10 maj 1916, Papa Benedikti XV e shpalli ‘Virgén de la Caridad”, Pajtore të Kubës.Në rrjedhë shekujsh, historia e kësaj shenjtëroreje, më e nderuara në vend, u lidh ngushtë me disa nga ngjarjet shoqërore e politike më të rëndësishme të Kubës, banorët e së cilës e quajnë Zojën “Mambisa”.







All the contents on this site are copyrighted ©.