2014-09-07 17:17:24

Papa në Engjëllin e Tënzot: paqe në Ukrainë e Lesotho, të ndihmohen irakianët e persektuar


Përpara Zotit jemi të gjithë mëkatarë, e të gjithë kemi nevojë për falje. Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përqendruar tek qortimi vëllazëror në gjirin e bashkësisë së krishterë. Papa bëri një thirrje të fuqishme për paqe në Ukrainë e në Lesotho, ku pak ditë më parë u bë një grusht shteti. Mendimi i Atit të Shenjtë nuk mund të mos shkonte edhe në Irakun e munduar, posaçërisht ndërmjet bashkësive të krishtera, që vijojnë të persekutohen, të kërcënohen, të tmerrohen, të ikin nga sytë-këmbët, e edhe ndërmjet atyre, që punojnë për t’i ndihmuar.RealAudioMP3

Ukraina e Lesotho, dy vende shumë larg njëri-tjetrit, por që këto ditë kanë një të përbashkët të hidhur: dhunën. Tek popujt e tyre, që vuajnë e pësojnë, shkoi mendimi dhe afërsia e Françeskut në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Papa vërejti se ditët e fundit u bënë hapa të dukshme në kërkim të armëpushimit në zonat e Ukrainës lindore, të prekura nga konflikti, ndonëse sot u dëgjuan përsëri lajme aspak ngushëlluese:
Uroj që hapat e bëra t’ua lehtësojnë jetën popullsive e të kontribuojnë për paqe të qëndrueshme. Lutem që, në logjikën e takimit, dialogu i filluar të vijojë e të sjellë frytin e shpresuar. Mari, Mbretëreshë e paqes, lutu për ne! Bashkoj zërin tim edhe me atë të ipeshkvijve të Lesotho-s, që bënë thirrje për paqe në këtë vend. E dënoj çdo akt dhune e i lutem Zotit që në Mbretërinë e Lesotho-s të rivendoset paqja, në frymën e drejtësisë e të vëllazërimit”.
Françesku kujtoi edhe një grup vullnetarësh të Kryqit të Kuq italian, që është nisur për në Irak e do të shkojë pikërisht në Erbil, ku janë strehuar dhjetra-mijëra të shpërngulur irakianë:
Duke shprehur vlerësimin për këtë vepër bujare e konkrete, u jap bekimin të gjithë anëtarëve të grupit e të gjithë njerëzve, që përpiqen konkretisht për t’i ndihmuar vëllezërit tanë të persekutuar e të shtypur. Zoti ju bekoftë!”.
Para thirrjeve për paqe, Françesku u ndalua tek tema e qortimit vëllazëror, sipas Ungjillit të së dielës. Jezusi, shpjegoi, këshillon ndërhyrjen progresive, kur na duhet të qortojmë një vëlla të krishterë, që bën ndonjë gjë jo të mirë. Etapat e kësaj udhe qortuese, vërejti, tregojnë përpjekjen që i kërkon Zoti bashkësisë së Tij, për ta shoqëruar të gabuarin, që të mos humbasë:
“Duhet, sidomos, të shmanget potera e kronikës dhe thashethemnaja e bashkësisë, e kjo është e para, eh? Të shmanget kjo! ‘Shko e qortoje, ti e ai, vetëm për vetëm (v 15). Është sjellje plot delikatesë, urti, përvujtëri, vëmendje ndaj atij, që ka bërë faj, duke shmangur rrezikun që fjalët ta plagosin a ta vrasin vëllain. Sepse, ju e dini mirë që edhe fjalët vrasin! Kur unë e marr vëllain nëpër gojë kot, kur e kritikoj padrejtësish, kur e ‘theri’ me gjuhën time, kjo do të thotë ta vrasësh emrin e tij të mirë! Edhe fjalët vrasin!”.
Njëkohësisht, shtoi, kjo maturi, që na shtyn t’i flasim vëllait vetëm për vetëm, ka për qëllim të mos e poshtërojmë më kot mëkatarin. Kur duam të qortojmë, shtoi akoma, të kemi parasysh, së pari, se fajtori duhet ndihmuar ta kuptojë atë, që ka bërë, ta marrë vesh se faji i tij ka prekur jo vetëm një njeri, por të gjithë:
“Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin edhe për t’u çliruar nga mllefi, nga inati, që bëjnë vetëm keq: inati e hidhëron zemrën, e nxit të fyejë e të sulmojë. S’ka gjë më të keqe, sesa të dëgjosh duke dalë fyerje e sulme nga goja e të krishterit! Keq! Kuptuat? Larg fyerjeve! Fyerja nuk është e krishterë! U kuptuam? Të fyesh nuk është e krishterë!”.
Në të vërtetë, shtoi Papa, para syve të Zotit jemi të gjithë mëkatarë e të gjithë kemi nevojë për ndjesë. Të gjithë! Jezusi na porosit të mos gjykojmë. Qortimi vëllazëror, është, atëhere, aspekt i dashurisë dhe i bashkimit, që duhet të mbretërojnë në bashkësinë e krishterë, është shërbim reciprok, që duhet t’i bëjmë njëri-tjetrit. Por, vërejti, ta qortosh vëllain, është shërbim i mundshëm dhe i frytshëm vetëm nëse secili e pranon se është mëkatar e se ka nevojë për faljen e Zotit. Françesku theksoi se vetë ndërgjegjja, që më bën ta shoh gabimin e tjetrit, më përpara më kujton se edhe unë vetë gaboj, e jo një herë të vetme. Prandaj, në krye të Meshës, jemi gjithnjë të ftuar të pranojmë, para syve të Zotit, se jemi mëkatarë:
Ndërmjet kushteve, që i bashkojnë pjesëmarrësit në kremtimin eukaristik, dy janë themlore; dy kushte, për të marrë pjesë mirë në Meshë: të gjithë jemi mëkatarë e të gjithëve Zoti na dhuron mëshirën e Tij. E janë këto kushte, që e hapin në dy kanata portën, për të hyrë si duhet në Meshë. Duhet ta kujtojmë gjithnjë, para se të nisemi te vëllai, për qortim vëllazëror”.
Në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi, së fundi, se nesër do të kremtojmë festën liturgjike të Lindjes së Virgjërës Mari. Është ditëlindja e Nënës:“E ç’duhet bërë, kur nëna feston ditëlindjen? Përshëndetet, urohet… Nesër, kujtojuni që më të aguar, ta uroni Zojën e Bekuar, me zemër e me gojë; kujtojuni e thojini: ‘Urime nga zemra!’. E më pas shtoni edhe një Falemimëri, të dalë nga zemra e birit a e bijës. Kujtojeni mirë këtë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.