2014-09-07 12:54:13

Nga veprimtaria e Kishës katolike nëpër botë


Po njihemi, së pari, me Kalendarin e kremtimeve të kryesuara nga Papa në muajin shtator 2014.
Më 13 shtator, Françesku do të shkojë për vizitë baritore në Mauzoleun ushtarak të Redipulias, në atmosferën e kremtimeve përkujtimore të 100-vjetorit të shpërthimit të Luftës I Botërore.
Më 14, e diel, në orën 09.00 do të kremtojë Meshën Shenjte në festën e Lartimit të Kryqit. Mesha do të shoqërohet me ritin e martesës.
Më 21, e diel, Ati i Shenjtë do të jetë për vizitë apostolike në Shqipëri.
Më 28, e diela XXVI e kohës gjatë vitit kishtar, do të kremtojë Meshën me të moshuarit, në Sheshin e Shën Pjetrit.
Ndërsa nesër, në Vatikan do të fillojë vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Kepit të Gjelbër.

Në Mantovë të Italisë filloi kremtimi i Javës së Kishën mantovane, në prag të Sinodit dioqezan. Një javë meditimesh me temat: “Ia kemi borxh dashurinë njëri-tjetrit”; “Ku dy a tre mblidhen në emrin tim, unë jam mes tyre”; “Do t’ia ngulin sytë Atij, që e shporuan”. Gjatë Javës do të ketë takime me grupe të vogla sinodale, në nivel dioqezan dhe takime ditore. Sot, Lartimi i Kryqit, u hap sinodi dioqezan me një kremtim solemn eukaristik në bazilikën konkatedrale të Shën Andreut Apostull. Të pranishëm, të gjithë anëtarët e sinodit.

Në Romë, pranë famullisë së Shën Marisë të Loretos, në Kastel Verde, rrethinat e Romës, përfundoi edicioni i pestë i veprimtarisë baritore, titulluar “Misioni i Familjes: ndize shpresën!”. Veprimtaria, e organizuar në atmosferën e sinodit të ipeshkvijve kushtuar familjes, që do të mblidhet tetorin e ardhshëm, u bekua edhe nga Papa Françesku, që i dërgoi një mesazh të gjithë pjesëmarrësve. Mesazhi u lexua gjatë kremtimit të sotëm eukaristik, që nisi në orën 10.30, kryesuar nga imzot Marco Scozzi.
Në mbrëmje, një grup të rinjsh dha një shfaqje muzikore, kushtuar Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot, realizuar me rastin e 20-vjetorit të udhës së përshkuar për t’i vënë në jetë, nisur që më 1993, nën drejtimin e don Fabio Rosinit. Teksti e muzika e shfaqjes u shkruan nga të rinjtë e grupit teatror “Drita në natë”.

Në Asizi, përfundoi Takimi i dytë kombëtar i oratoreve, i quajtur “H2O”. Tema: “Laboratore të bashkësisë”, ndihmon për të reflektuar mbi rolin e oratorit, si vend ku mund të përtërihet jeta e bashkësisë së krishterë e mbi misionin e tyre në edukimin për një jetë më të mirë.

Në Anversë të Belgjikës filluan sot punimet e Takimit të 28-të Ndërkombëtar “Njerëz e fe”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, me temë: “Paqja është e ardhmja: fetë e kulturat në dialog, njëqind vjet pas Luftës I Botërore”.
Qyteti belg u zgjodh si vend emblematik: këtu, më 4 gusht 1914, nisi Lufta I Botërore, me sulmin kundër Belgjikës. Takimi i madh, që do të vijojë deri më 9 shtator, tërheq vëmendjen mbi konfliktet dhe tensionet e sotme ndërkombëtare, pa harruar të vërë theksin edhe mbi përgjegjësitë e feve e të njerëzve vullnetmirë për ndërtimin e një bote solidare, në të cilën përhapet kultura e tolerancës dhe e mbrojtjes së jetës. Tema të tjera, ajo e zhvillimit të qëndrueshëm, e emigracionit, e varfërisë, edukimit për paqen, martirizimit në kohët tona, e dhunës me vulë fetare, bashkimit të krishterëve, e dialogut me Islamin.
Njëherësh me personalitete të botës katolike, të kulturës e të dialogut ndërfetar, në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të sapozgjedhura evropiane.

E ndërsa java e re hap rrugë e nisma të reja, ne po rikthehemi tek takimet shumë të rëndësishme të Papës, të enjten e kaluar. E kemi fjalën për takimin e Françeskut së pari me Simon Peres, ish-president i Shtetit të Izraelit, e më pas, me princin El Hassan bin Talal të Mbretërisë hashemite të Jordanisë. Folëm për ta, të premten e kaluar, por sot po vëmë theksin më gjatë tek një nismë e propozuar nga ish-presidenti Peres. Titullohet “OKB-ja dhe fetë”. E pyetëm për të Drejtoriun e Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi: RealAudioMP3


Pyetje: - Atë, si e quajtën gazetarët, thënë me dy fjalë, nismën “OKB-ja dhe fetë”, propozuar nga Shimon Peres?
Përgjigje: - Po. Peres i foli Papës për këtë propozim, për perspektivën e këtij angazhimi. Papa është njëmendjeje me ish-presidentin Peres. Për dy dialoguesit, nisma e lutjes për paqen, këtu, në Vatikan, me pjesëmarrjen e Peres e Abu Mazen, nuk duhet konsideruar aspak si diçka e dështuar, pas ngjarjeve që ndodhën. Përkundrazi. Duhet parë si hapje e një porte, që nuk u mbyll më. Kjo portë vijon të jetë e hapur në dy kapakët. E duke kapërcyer pragun e saj, nismat e vlerat mund të inkurajohen, të zhvillohen, të shkojnë përpara. Kështu pra, nuk mund të flitet për dështimin e kësaj nisme, përkundrazi, duhet çmuar vlera e saj si fillim i udhëve e proceseve të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.