Një lule a një vepër të mirë për Nënë Terezën, në ditën e festës
Një lule për Nënë Terezën, ndërmjet dy ditëlindjeve, për tokë e për qiell! Një lule
reale, a simbolike. Një lule a një vepër mëshire. Pranë ikonave të saj e sidomos,
të varfërve të saj! Një lule, për Nënën e të mjerëve më të mjerë. Një lule për
Nënën e njerëzve të mohuar. Një vepër të mirë Nënës, që diti të shuajë etjen e
Krishtit për dashuri. Një lule për Nënën e të gjithë shqiptarëve! Një lule për
murgeshën katolike, që u bë nënë e mijëra fëmijëve pa nëna, të cilët diti si moskush
t’i rrokë e t’i përkëdhelë. Një vepër mëshire për atë, që shkeli në shtigje tejet
të thepisura, me sarin e thjeshtë e sandalet simbolike, gjysëm të shkatërruara nga
udha e gjatë. Një lule për Nënën, që u akuzua deri se gaboi shpesh e edhe se mblodhi
miliona. Një lule për atë, që sigurisht milionat nuk i mori me vete në varr. Një
lutje për Murgën, së cilës i pëlqente të përsëriste shpesh: “S’ka pikë rëndësie
nëse të shajnë: pranoji sharjet duke vënë paksa buzën në gaz e
shko e vijo punën tënde!”. E kjo lule do të na kujtojë se kur vdes ndonjë
personalitet i shquar shekullar, në vend të tij ulet menjëherë një tjetër. Madje
edhe kur vdes një papë, në fronin e Shën Pjetrit ulet një tjetër. E dimë se Zoti
do të thërrasë vazhdimisht njerëz të tjerë, që shuajnë etjen e Tij për dashuri! Por,
ndoshta, një Nënë Terezë tjetër nuk do të lindë kurrë më?! Një lule shqiptare,
për Nënë Terezën, në 17 vjetorin e lindjes për qiell!