2014-09-05 15:48:58

Françesku: Ungjilli është risi, nuk duhet të druhemi nga ndryshimet në Kishë


Ungjilli “është risi”. Jezusi na kërkon t’i lëmë mënjanë strukturat ditëshkurtëra. Këtë pohoi Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se i krishteri nuk duhet të jetë skllav i ligjeve të vogla, por duhet t’ia hapë zemrën urdhërimit, gjithnjë të ri, të dashurisë.RealAudioMP3

Skribët, që donin ta vinin në provë Jezusin, e pyesnin pse dishepujt e tij nuk agjëronin, por Zoti nuk bie në kurth e u përgjigjet duke folur për festë e për risi. Papa e mori shtytjen nga faqja e sotme ungjillore, për të theksuar pikërisht të renë, që solli Jezusi, duke na nxitur për ta shtënë verën e re, në shakuj të rinj:
“Verë e re, në shakuj të rinj. Risia e Ungjillit! Ç’të re na sjell Ungjilli? Gëzim e risi. Këta doktorë të ligjit ishin mbyllur në qerthullin e urdhërime të tyre, në ligjet e rregullat e tyre të ngurta. Duke folur për ta, Shën Pali kujton: para se të vinte feja, domethënë Jezusi, ne të gjithë ishim të ngujuar, si të burgosur, nën ligj. Ligji i këtyre njerëzve nuk ishte i keq: ruante, por duke burgosur, në pritje që të vinte feja. Ajo fe, që do të zbulohej në vetë Jezusin”.
Populli, vërejti Papa, kishte ligjin, që ia kishte dhënë Moisiu, e pastaj një mori dokesh e ligjesh të vogla, kodifikuar nga doktorët. Ligji, komentoi Françesku, i ruante, por si të burgosur! Të burgosur, në pritje të lirisë, të lirisë përfundimtare, që Hyji do t’ia jepte popullit të vet, përmes Birit të tij. E kjo është edhe liria e Ungjillit: Ungjilli vjen për të çliruar nga ligji:
Ndokush mund të më thotë: ‘Por, o Atë, të krishterët nuk paskan ligj?’. Po! Jezusi ka thënë: ‘Unë nuk vij për ta zhdukur ligjin, por për ta përkryer’. E përkryerje e ligjit janë, për shembull, Lumnitë, ligj i dashurisë, i dashurisë pa kushte. Na kërkon të duam, ashtu si deshi Ai, Jezusi. E, kur Jezusi i qorton këta njerëz, këta doktorë të ligjit, i qorton sepse nuk e kishin ruajtur popullin me ligjin, por e kishin skllavëruar me ligjet e tyre të vogla, me gjithë atë mori gjërash, që duhet të bënin”.
Gjëra për t’u bërë, shtoi, pa lirinë që na sjell Ai me ligjin e ri, ligjin, vulosur me gjakun e vet. Kjo, pra, risia e Ungjillit, që është festë, gëzim, liri. Është pikërisht shpërblimi, që mbarë populli e priste prej kohësh, kur ruhej nën ligj, por si i vënë në hekura. Këtë dëshiron të na e thotë Jezusi: “E reja, me të renë; verë e re, shakuj të rinj”. E nuk duhet të druhemi t’i ndërrojmë gjërat sipas ligjit të Ungjillit:
“Pali di të dallojë mirë: bijtë e ligjit e bijtë e fesë. Verë e re, në shakuj të rinj. E prandaj Kisha na kërkon, ne të gjithëve, disa ndryshime, na kërkon t’i lëmë mënjanë strukturat e kota: nuk duhen gjë! E të marrim shakuj të rinj, shakujt e Ungjillit. Nuk mund të kuptohet mendësia, për shembull, e këtyre doktorëve të ligjit, këtyre teologëve farizenj; nuk mund të kuptohet mendësia e tyre me shpirtin e Ungjillit. Janë gjëra të ndryshme. Stili i Ungjillit është i ndryshëm, stil që çon në përsosurinë e ligjit. Po! Po në një mënyrë të re: është verë e re në shakujt të rinj!”.
Ungjilli, tha Françesku, është risi. Është festë. E mund ta jetojë përsosurisht vetëm një zemër e gëzuar, një zemër e rinuar. Zoti, u lut në përfundim Papa, na dhëntë hirin t’i bindemi këtij ligji. T’i bindemi ligjit, që Jezusi e përsosi në urdhërimin e dashurisë, në Urdhërimet, që burojnë nga Lumnitë. Zoti na dhëntë hirin e çlirimit nga hekurat e hirin e gëzimit e të lirisë, që na e sjell risia e Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.