2014-09-05 15:48:13

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista


Pak ditë na ndajnë nga vizita e Papës Françesku në Shqipëri. E ne vijojmë t’ju njohim me Mikun e madh, duke ju folur me fjalët e tij, fryt i bisedave dhënë gazetave të ndryshme. Nisëm nga “La Vanguardia”, për të vijuar me intervistën e Papës dhënë, më 29. 06. 2014, vatikanistes Franka Giansoldati. Kjo intervistë u botua në faqen e parë të gazetës romake ‘Il Messaggero” me titull: “Devijimi moral, i duhet vënë pritë”, pas takimit të Atit të Shenjtë me gazetaren. Pas analizës për fenomenin e korrupsionit, Papa flet për rolin e politikës, të Kishës e sidomos, për mbrojtjen e jetës njerëzore.RealAudioMP3

Pyetja e parë sot është: “Ç’mund të bëjë politika?”:

“Të përgjigjet në mënyrë të saktë. Për shembull, me shërbimet shoqërore, që i ndjekin familjet, duke i bërë ta kuptojnë situatën e rëndë e të dalin prej saj. Fenomeni tregon se shoqëria ka mungesa të ndjeshme, përsa i përket shërbimit shoqëror.

Ndërsa Kisha punon shumë në këtë drejtim…

“E duhet të vijojë ta bëjë këtë. Duhet t’i ndihmojë familjet në vështirësi, punë kjo, në rritje, që kërkon përpjekje të përbashkëta”.

Në Romë gjithnjë më shumë të rinj nuk shkojnë në Kishë, nuk i pagëzojnë fëmijët, nuk dinë as të bëjnë shenjën e Kryqit. Çfarë strategjie duhet për ta ndryshuar këtë mënyrë sjelljeje, që është bërë modë?

Kisha duhet të dalë nëpër rrugë, t’i kërkojë njerëzit, të trokasë në dyert e shtëpive, t’i vizitojë familjet, të shkojë në periferitë. Nuk duhet të jetë Kishë që vetëm merr, por edhe që jep”.

E famullitarët nuk duhet t’i krehin delet…

(Qesh) “Natyrisht. Jemi në çaste misioni, që prej dhjetë vjetësh. Duhet të ngulmojmë”.

A ju shqetëson kultura e denatalitetit në Itali?

“Mendoj se duhet punuar më shumë për të mirën e përbashkët të fëmijëve. Të krijosh familje është impenjim. Nganjëherë rroga nuk mjafton, nuk arrin as deri në fund të muajit. Vjen pastaj frika se mund të humbasësh punën, ose se mund të mos kesh para të paguash qeranë. Politika shoqërore nuk ndihmon. Italia ka një përqindje tejet të ultë lindjesh. Spanja po ashtu. Franca është më mirë, por edhe atje përqindja është e ultë. Të duket se Evropa është lodhur në rolin e nënës e i pëlqen më shumë të luajë atë të gjyshes. Shumë varet nga kriza ekonomike, e jo vetëm nga devijimi kulturor me vulën e egoizmit e të hedonizmit. Dje lexoja një statistikë mbi kriteret e shpenzimit nga ana e popullsisë në nivel botëror. Pas ushqimit, veshjes e ilaçeve, tre zëra të nevojshme, ndjekin kozmetika dhe shpenzimet për kafshët shtëpijake”.

Vlejnë më shumë kafshët se fëmijët?

Fenomen i zvetënimit kulturor, ky. E kjo, sepse lidhja afektive me kafshët, është më e lehtë, më e programueshme. Kafsha nuk është e lirë, ndërsa fëmija, shumë më i ndërlikuar…

Ungjilli u flet më shumë të varfërve, apo të pasurve, për pendesë e kthim në rrugën e Zotit?

“Varfëria është në qendër të Ungjillit. Nuk mund ta kuptosh Ungjillin, pa e kuptuar varfërinë reale, duke pasur mirë parasysh se ka edhe një varfëri tjetër tejet të bukur, e është varfëria e shpirtit: të jesh i varfër para syve të Zotit, sepse Ai i Lumi të pasuron, ta mbush plot shpirtin. Ungjilli u drejtohet të varfërve e të pasurve, pa dallim. E flet si për varfëri, ashtu edhe për pasuri. Nuk i dënon aspak të pasurit, ndërsa pasuritë, vetëm kur bëhen objekte idhujtarie. Dënon paranë-zot, viçin e artë”.

Ju shikoheni si papë komunist, papuerist, populist. Revista ‘The Economist” që ju kushtoi kapakun, pohon se flisni si Lenini. Jeni vërtet kështu?

“Unë them se komunistët nuk bënë tjetër, veçse të na e vjedhin flamurin. Flamurin e të vafërve të krishterë. Varfëria është në qendër të Ungjillit. Të varfrit janë në qendër të Ungjillit. Të marrim Mateun 25, protokollin mbi të cilin do të gjykohemi: pata uri, pata etje, isha në burg, i sëmurë, i zhveshur. Ose të shikojmë Lumnitë, flamur tjetër ky. Komunistët thonë se e gjithë kjo është komuniste. Po, e si jo, veç njëzet shekuj më pas. Atëhere kur flasin kështu, mund t’u themi: po ju qenkeni ‘ma të k’shtenë se Papa” (qesh).

Nëse më lejoni, një kritikë….

Natyrisht…”

Ju ndoshta flisni pak për gratë, e edhe kur flisni, e shikoni këtë argument duke u nisur nga amësia, nga gruaja bashkëshorte, nga gruaja nënë, etj etj. E pra gratë sot u prijnë shteteve, shumëkombësheve, ushtrive. Po në Kishë, ç’vend zënë gratë, sipas jush?

“Gratë janë gjëja më e bukur, që bëri Zoti. Kisha është grua. Kishë është fjalë e gjinisë femërore. Nuk mund të bëhet teologjia, pa këtë femërsi. Por gjithsesi, ju keni të drejtë, nuk flitet aq sa duhet. Jam dakord se duhet punuar më shumë për teologjinë e gruas. E kam thënë se po punohet në këtë drejtim”.

A nuk shikoni një farë mizogjinie, më shqip, një farë urrejtjeje për gratë, në bazë të kësaj sjelljeje?

“Fakti është e gruaja u mor nga një brinjë… (qesh me kënaqësi). Bëj shaka, kjo është batutë. Jam dakord se duhet thelluar më shumë çështja femërore, përndryshe nuk mund të kuptohet as vetë Kisha”.

A mund të presim nga ju vendime historike, të shikojmë për shembull gra në krye të dikastereve, nuk po them të klerit…
(qesh) “Bah, shpesh herë priftërinjtë i shtrohen autoritetit të grave, që u shërbejnë…”







All the contents on this site are copyrighted ©.