2014-09-04 17:03:41

Çelësi i fjalëve të Kishës – qytetërimi i dashurisë


Në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës”, vijojmë leximin e Letrës së Shën Gjon Palit II drejtuar familjeve me rastin e Vitit Botëror të Familjes, shpallur nga OKB-ja më 1994. Kemi folur tashmë për përgjegjësinë prindërore, që shprehet me anë të lindjes dhe rritjes së fëmijëve në kontekstin e marrëdhënies burrë grua, mbi të cilën mbështetet familja, ndërsa sot lexojmë një fragment në të cilin papa flet për qytetërimin, që lind nga dashuria (n. 13).
“Çështja e atësisë dhe e amësisë së përgjegjshme – shkruan Papa Gjon Pali II – bën pjesë në tematikën e ‘qytetërimit të dashurisë’, për të cilin dëshiroj t’ju flas tani. Nga sa kemi thënë deri këtu, del qartë se familja qëndron në bazë të asaj që Pali VI e ka cilësuar si ‘qytetërimin e dashurisë’, shprehje që pastaj ka hyrë në mësimin Kishës dhe është bërë tashmë familjare. Sot është e vështirë të mendohet për një ndërhyrje të Kishës, ose mbi Kishën, që të mos ketë lidhje me qytetërimin e dashurisë. Kjo shprehje lidhet me traditën e ‘Kishës shtëpiake’ në krishtërimin zanafillor, por ka një lidhje të qartë edhe me epokën bashkëkohore. Etimologjikisht, fjala ‘qytetërim’ vjen nga fjala latine ‘civis’ – ‘qytetar’ dhe nënvizon përmasën politike të ekzistencës së çdo individi. Megjithatë, kuptimi më i thellë i shprehjes ‘qytetërim’ nuk mund të jetë vetëm politik, por duhet të jetë më shumë ‘humanistik’. Qytetërimi i përket historisë së njeriut, sepse përkon me kërkesat e tij shpirtërore e morale: njeriu, i krijuar në shëmbëllimin dhe përngjasimin e Hyjit, e ka marrë botën nga duart e Krijuesit, me zotimin për t’i dhënë trajtë sipas shëmbëllimit dhe përngjasimit të vet. Pikërisht nga përmbushja e kësaj detyre buron qytetërimi, që, tek e fundit, nuk është tjetër përveçse ‘humanizimi i botës’.
Fjala qytetërim, pra, ka të njëjtën domethënie me fjalën ‘kulturë’. Kështu, mund të themi: ‘kultura e dashurisë’, edhe pse do të ishte më mirë të ruanim atë shprehje, që është bërë tashmë familjare. Qytetërimi i dashurisë, në kuptimin aktual të kësaj fjale, buron nga fjalët e Kushtetutës konciliare Gaudium et spes: “Krishti ... i zbulon ... plotësisht njeriun njeriut dhe e bën me dije për thirrjen e tij tejet të lartë”. Mund të pohohet se qytetërimi i dashurisë zë fill tek zbulimi i Hyjit, që është ‘dashuri’, siç thotë Gjoni (1 Gjn 4,8.16). Atë e përshkruan si duhet Pali në himnin për dashurinë, në Letrën e Parë drejtuar korintasve. Ky qytetërim është i lidhur ngusht me dashurinë, derdhur në zemrat tona me anë të Shpirtit të Shenjtë, që na është dhuruar” (Rm 5,5) dhe rritet falë kujdesit të pareshtur për të cilin flet thekur alegoria ungjillore e hardhisë dhe e shermendve: ‘Unë jam hardhia e vërtetë e Ati im vreshtari. Çdo gem në mua që nuk jep fryt, e pret, dhe çdo gem që jep fryt, e kin, që të japë më shumë fryt” (Gjn 15,1-2).
Në dritën e këtyre teksteve dhe të teksteve të tjera të Besëlidhjes së Re, është e mundur të marrim vesh çfarë nënkuptohet me ‘qytetërimin e dashurisë’ dhe pse familja është organikisht e lidhur me këtë qytetërim. Nëse ‘udha e Kishës është familja’, duhet të shtojmë se edhe qytetërimi i dashurisë është ‘udha e Kishës’ e cila ecën në botë dhe i thërret në këtë udhë familjet dhe institicionet e tjera shoqërore, kombëtare e ndërkombëtare, për hir të familjeve dhe nëpërmjet familjeve. Familja varet për shumë arsye nga qytetërimi i dashurisë, në të cilin gjen arsyet për të cilat është familje. Në të njëjtën kohë, familja është qendra dhe zemra e qytetërimit të dashurisë.
Dashuria e vërtetë, megjithtë, nuk ekziston pa vetëdijen se Hyji “është Dashuri” dhe se njeriu është krijesa e vetme në tokë, të cilën Hyji e ka sjellë në jetë për hir të vetë njeriut. Njeriu i krijuar në shëmbëllimin dhe përngjasimin e Hyjit nuk mund ta “gjejë plotësisht vetveten” përveçse nëpërmjet dhurimit të sinqertë të vetes. Pa këtë koncept për njeriun, për personin dhe për ‘bashkimin e personave’ në familje, nuk mund të ekzistojë qytetërimi i dashurisë; anasjelltas, pa qytetërimin e dashurisë është e pamundur të kemi këtë koncept për personin dhe për bashkimin e personave. Familja përbën ‘qelizën’ themelore të shoqërisë. Por ka nevojë për Krishtin – ‘hardhia’ nga e cila e marrin linfën ‘gemat’ –, që kjo qelizëtë mos rrezikohet nga kërcënimi i një farë çrrënjosjeje kulturore, që mund të burojë sa nga brenda, aq edhe nga jashtë. Në të vërtetë, nëse nga njëra anë ekziston ‘qytetërimi i dashurisë’, nga ana tjetër mbetet mundësia e ‘kundër-qytetërimit’ rrënimtar, siç e dëshmojnë sot prirjet e shumta dhe situatat e mirëfillta.








All the contents on this site are copyrighted ©.