2014-09-04 17:02:34

Takimi Bose. Papa: Paqja e Krishtit i shuan kundërshtimet


Me rastin e Takimit Ekumenik Ndërkombëtar të përshpirtërisë ortodokse, që nisi dje në Bose të Piemontit me temë: “Lum njerëzit paqësorë”, Papa dërgoi një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, përmes të cilit uron që ditët e studimit e të ballafaqimit të ndihmojnë për të fituar vetëdijen se është e mundur të jetohet e të dëshmohet paqja e kumtuar nga Krishti, përmes sjelljeve me frymë vëllazërie të sinqertë, që shuajnë kundërshtimet e grindjet, sheshojnë ndryshimet e lindin shpresën.
Takimi, i organizuar nga Bashkësia e Bose-s, në bashkëpunim me Kishën ortodokse, synon të vihet në dëgjim të Ungjillit të paqes, që kërkon nga të krishterët të jenë tharm i pajtimit ndërmjet grave e burrave të kohëve tona. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, Enzo Bianchi, Epror i Bashkësisë Ekumenike:RealAudioMP3

Përgjigje: - Në këtë çast të veçantë, ne, siç thotë edhe Papa Françesku, po jetojmë një Luftë të tretë botërore, edhe pse nuk quhet me këtë emër. Shikojmë vatra të ndezura flakë, të tmerrshme, posaçërisht në Lindjen e Mesme, ku pikërisht konfesionet e krishtera janë pranë e pranë, posaçërisht Kishat ortodokse lindore e ato katolike. Atëhere ky takim bëhet pikërisht me këtë shqetësim, me dëshirën që luftës t’ia zërë vendin paqja. Do të flasim, prandaj, për paqen, për njerëzit paqësorë e paqësues, duke pasur parasysh sa Lindjen në flakë, aq edhe gjendjen në Ukrainë. Prej këndej, mendoj se kjo temë është bërë tejet aktuale, vendimtare për ardhmërinë e krishterimit në këto troje.

Pyetje: - Paqja ka edhe një përmasë teologjike, që lidhet me zbulesën….

Përgjigje: - Për ne, të krishterët, Jezu Krishti është paqja, e këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Është Ai, që erdhi për të shembur çdo mur, për t’i dhënë fund çdo përçarjeje. Prej këndej, vetëm në emër të Tij mund të bëhet paqe, mund të vijë paqja. Vërtet është paqe ndërmjet njerëzve, po gurrën e ka në Jezu Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.