2014-09-04 17:02:08

Papa: vendi më i privilegjuar për takimin me Jezusin, janë mëkatet tona


Forca e jetës sonë të krishterë gjindet në takimin ndërmjet mëkateve tona e Krishtit, që na shëlbon. Ku mungon ky takim, kishat janë në rënie e të krishterët, të ftohtë: këtë theksoi sot Papa Françesku në homeli, gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Nga Pjetri e Pali mësojmë se i krishteri mund të krenohet vetëm për dy gjëra: “Për mëkatet e veta e për Krishtin e kryqëzuar”. Forca shndërruese e Fjalës së Zotit, shpjegoi Papa, nis pikërisht nga kjo vetëdije. Kështu Pali, në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, e fton njeriun, që beson se është i urtë, të bëhet i marrë, për t’u bërë i urtë, sepse dija e kësaj bote është marrëzi para syve të Zotit:
“Pali na kujton se forca e Fjalës së Zotit, ajo që shndërron zemrën, që shndërron botën, që jep shpresë, që jep jetë, nuk duhet kërkuar në dijen njerëzore; nuk gjindet në fjalët e bukura, në aftësinë për t’i shprehur bukur mendimet, sipas dijes njerëzore. Jo! Kjo është marrëzi, na kujton ai. Forca e Fjalës së Zotit vjen nga një anë tjetër. E kjo forcë e Fjalës së Hyjit kalon nëpër zemrën e predikatarit. E prandaj u thotë atyre, që e predikojnë Fjalën e Hyjit: ‘Bëhuni të marrë’, domethënë, mos u bazoni mbi dijen tuaj, mbi dijen e botës!”.
Shën Pali Apostull nuk mburret për studimet e tij, për dijen e tij, ndonëse ka studiuar me profesorët më në zë të kohës. I lejon vetes të krenohet vetëm për dy gjëra:
“Ai vetë na e thotë: ‘Unë krenohem vetëm për mëkatet e mia’. Të shkandullon kjo shprehje! E më pas, në një fragment tjetër, shton: ‘Unë krenohem vetëm në Krishtin, e në Krishtin e kryqëzuar’. Forca e Fjalës së Hyjit gjindet në këtë takim ndërmjet mëkateve të mia e gjakut të Krishtit, që më shpëton. E kur mungon ky takim, mungon forca e zemrës. Kur harrohet ky takim, që patëm në jetë, bëhemi njerëz të botës, duam të flasim për sendet e Zotit me gjuhën njerëzore, e kjo nuk i shërben askujt, nuk jep jetë”.
Edhe Pjetri, në Ungjillin e peshkimit të mrekullueshëm, e takon Krishtin duke parë mëkatin e vet: shikon forcën e Jezusit e vëren edhe vetveten. I hidhet ndër këmbë, duke thënë: “Zot, largohu nga unë, sepse jam mëkatar!”. Në këtë takim ndërmjet Krishtit e mëkateve të mia është shëlbimi:
Vendi i privilegjuar për takimin me Jezusin janë pikërisht mëkatet tona. Nëse i krishteri nuk është i aftë ta ndjejë veten mëkatar i shpëtuar nga Gjaku i Krishtit, Krishtit të kryqëzuar, është i krishterë që ka mbetur në gjysëm të rrugës, i krishterë i ftohtë. E kur gjejmë kisha në rënie, do të thotë se besimtarët e tyre nuk e kanë takuar kurrë Jezu Krishtin ose e kanë harruar takimin, që mund të kenë pasur me Të, dikur. Forca e jetës së krishterë dhe forca e Fjalës së Zotit është pikërisht në atë çast kur unë, mëkatari, takoj Jezu Krishtin e ky takim e përmbys jetën time, e shndërron… E më jep forcë për t’ua kumtuar shëlbimin edhe të tjerëve”.Papa Françesku i ftoi të krishterët t’i bëjnë vetes disa pyetje: “Po unë, a jam i aftë t’i them Zotit: ‘Jam mëkatar!’, jo teorikisht, por duke rrëfyer mëkatin konkret? E i aftë për të besuar se pikërisht Ai, me Gjakun e vet, më shpëtoi nga mëkati e më dha një jetë të re? A kam besim të plotë në Krishtin?”. Këto, pyetjet e Papës, që e përfundoi homelinë me një pyetje të re, duke dhënë edhe përgjigjen: “Me se mund të krenohet i krishteri? Me dy gjëra: me mëkatet e veta e me Krishtin e kryqëzuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.