2014-09-04 17:03:15

Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell. Sot: “Zonja e madhe e Shtëpisë së Bardhë, për Nënën e të varfërve”


Pas ceremonisë së varrimit, duke u takuar me delegacionin shqiptar, të pranishëm, Hilari Klinton, askohe Zonjë e madhe e Shtëpisë së Bardhë, ku mund ta shikojmë përsëri, së shpejti, u shpreh kështu për Nënë Terezën: “Ishte bijë e denjë e vendit tuaj”.RealAudioMP3 Bijë e denjë, sepse shërbeu me vetmohim e dashuri, duke ua kthyer paqen e humbur shumë njerëzve. E edhe tani, kur nuk është më, vijon të na japë mësim. Na mëson se të ushqesh një fëmijë të braktisur, të mjekosh një plagë, të kujdesësh për njeriun në grahma të vdekjes, ndihmon në përmirësimin e shpirtit njerëzor. Punën e Nënë Terezës dhe misionin e saj plot dashuri e mirësi ndërmjet të varfërve e të të braktisurve në Indi, e njihja shumë kohë para se ta takoja. E megjithatë, isha fare e papërgatitur, kur erdhi ora e takimit aq të dëshiruar, gjatë lutjeve kombëtare të mëngjesit, në shkurt 1994. E përshëndetëm para fillimit të lutjeve e pranuam menjëherë ftesën e saj për t’u takuar. E hipur mbi një stol, që arrinte lartësinë e podiumit, gruaja imcake i mahniti të gjithë të pranishmit, që kishin mbushur plot sallën e ballove në Washington D.C. Foli pa letër, për të mbrojtur të pambrojturit. Foli kundër abortit. Pas fjalimit, bashkë me Billin, u ulëm për të biseduar me Nënë Terezën në një skaj, pas skenës. Ajo ma mori dorën, e shtrëngoi në duart e saj të plasaritura e më tha se lutej për mua e për burrin tim, sidomos në përpjekjen për t’u siguruar të varfërve shërbimin shëndetësor falas. Nuk u morëm vesh plotësisht për abortin e as për birësimin, por ajo s’e humbi aspak guximin e më kërkoi ta ndihmoj në hapjen e strehëve për fëmijët në pritje të birësimit. Nisi, kështu, edhe letërkëmbimi me Nënë Terezën. Shkruante me dorë. Në një letër dosido. Tregonte ku kishte qenë, ç’kishte bërë e, sidomos, pyeste si shkonin punët me jetimoren, që ajo e quante “Dhurata e dashurisë”.
Një vit më pas, pata rastin ta shikoja me sytë e mi punën që kishte bërë në Indi, ku shtegtova me time bijë. Vizituam një strehë jetimësh. E gjetëm plot me djepa. Ato djepa kishin brenda diçka, që asnjë ligj në botë nuk arrin ta garantojë: dashurinë e madhe për fëmijët e lënë në mëshirën e fatit, për djepat, për këngën e foshnjave, simbol i përtëritjes së jetës.
E takova, më pas, në Washington, në përurimin e shtëpisë së fëmijëve, që ajo e dëshironte aq shumë. E, para se të prisnim shiritin e përurimit, më tha: “Kjo është dhuratë dashurie. Do të desha t’jua shpërbleja me dhuratën e paqes, po nuk mundem. Përkundrazi, më duhet t’juaj prish përsëri paqen, për të ndihmuar të varfrit”.
E nuk ngurroi të ma ‘prishë’ edhe shumë herë të tjera...
Kështu e shikojmë përsëri sot, duke dhuruar dashuri, duke mbyllur plagë, duke tundur djepa, duke u kujdesur për njerëzit në çastet e fundit të jetës, duke e bërë më të mirë shpirtin njerëzor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.