2014-09-04 17:02:48

Kardinali Parolin: t’i jepet fund emergjencës humanitare në Irak


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, foli sot për disa nga skenaret më shqetësuese botërore, në përfundim të një takimi ndërkombëtar të Këshilltarëve Kishtarë të Coldirett-it (Konfederata Kombëtare e Kultivuesve të Drejtpërdrejtë) në Romë. Papa e ka shumë për zemër gjendjen e të krishterëve në Irak, theksoi, duke kërkuar, në vijim, impenjimin e të gjithëve për t’i dhënë fund emergjencës së rëndë humanitare në vendin e Gjirit. Duhet të angazhohen të gjithë, vijoi, për të krijuar kushtet që të krishterët, të cilët në këto çaste po kalojnë vështirësi të mëdha, të mund të rikthehen të sigurt në fshatrat e tyre e në strehët e tyre.
Lidhur me vatrat e konfliktit në Lindjen e Mesme, prelati i lartë kërkoi rrugëzgjidhje politike e jo dhunë ushtarake, duke nënvizuar se të gjithë aktorët, që luajnë në këtë skenë, duket të bëjnë pjesën e tyre, me ndihmëm bashkësisë ndërkombëtare. Së fundi, duke folur për Ukrainën, kujtoi se në këtë krah është e pranishme edhe diplomacia e Vatikanit. Duke folur edhe për takimin, në të cilin merrte pjesë, kardinali Parolin shprehu mendimin se duhet punuar me stile të reja jete, më vëllazërore e më solidare, për të mirën e përgjithshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.