2014-09-03 11:36:55

Patriarku Raï: të ndalohen xhihadistët, ose do të rikthehet parahistoria


Patriarkët katolikë e ortodoksë të Lindjes së Mesme, mbledhur këto ditë a Bkerké të Libanit, i drejtuan mbarë botës thirrje për të ndërhyrë me urgjencë kundër kërcënimit të xhihadistëve të Shtetit të vetëshpallur Islamik. Ta dëgjojmë kardinalin libanez, Béchara Boutros Raï, patriark i maronitëve të Antiokisë, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Kjo, që po ndodh përmes Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera fundamentaliste, po na çon në parahistori, në kohë kur s’kishte kanu as ligj. Po jap vetëm një shembull: arrin, një ditë të bukur, Shteti Islamik e na vë një ligj për të krishterët; ose do të ktheheni në Islam, ose do të paguani një taksë, sepse nuk jeni myslimanë, ose duhet të zhdukeni menjëherë nga shtëpitë tuaja. Keni vetëm dy ditë afat, përndryshe… ju pret shpata. Shtëpitë tuaja e pronat tuaja janë tashmë tonat! E të shikosh sesi bota mbarë rri e bën sehir në heshtje absolute, do të thotë se jemi kthyer në parahistori. E bëjmë këtë thirrje, që bashkësia ndërkombëtare, bota arabe dhe Bashkimi Evropian, të marrin mbi vete përgjegjësitë, që u takojnë, për t’i dhënë fund këtyre grupeve fundamentaliste, për të shpëtuar paqen e edhe vetë dinjitetin e njerëzimit. Këto grupe kërcënojnë mbarë botën, sepse janë të pasura, të ndihmuara financiarisht e të armatosura me armët më moderne, të marra nga shtete të ndryshme. .. Janë rrezik i madh, prandaj ne i kemi folur e i flasim me zë të lartë ndërgjegjes botërore: e kemi thënë; ua kam thënë unë vetë parlamentarëve katolikë ndërkombëtarë, gjatë takimit në Fraskati, këto ditë; e ne patriarkët do t’ia përsërisim Uashingtonit, ku më 9 deri më 11 shtator do të mbahet një kuvëndim me titull: “Në mbrojtje të të krishterëve në Lindjen e Mesme”.

Pyetje: - Si të krishterë të Lindjes së Mesme, ç’dëshironi t’i thoni botës?

Përgjigje: - Dëshirojmë t’i themi botës se ne, të krishterët e Lindjes së Mesme nuk jemi pakicë; statusi i pakicës nuk zbatohet për të krishterët, zbatohet për pakicat etnike, për grupet politike e kulturore. Ne jemi Kisha e Krishtit, e pranishme në Lindjen e Mesme. Nuk jemi, pra, pakicë! Jemi qytetarë të këtyre vendeve të Lindjes së Mesme që prej 2 mijë vjetësh, 600 vjet para myslimanëve. Kemi jetuar me myslimanët që prej 1400 vjetëve e u kemi transmetuar vlerat e Ungjillit, vlerat e dinjitetit të njeriut, të shenjtërisë së jetës njerëzore, por edhe kemi marrë nga traditat e nga vlerat e tyre. Ndërtuam, kështu, kulturën së bashku, ndërtuam qytetërimin. Dëshiroj t’i them botës mbarë se Siria, Egjipti, Jordania, Palestina, Iraku janë kultura të krishtera, me themel plotësisht të krishterë. Nuk mund të vijë askush këtu e t’i vërë kazmën në një çast të vetëm, gjithë asaj që e ndërtuam në një hark kohor prej 2000 vjetësh, nga të cilat, 1400 së bashku.

Pyetje: - Flitet për reforma politike?

Përgjigje: - Mjaft më me fjalët reforma politike e demokraci, jemi ngopur deri në velje me to. Nuk kërkojnë këtë, jo, e unë e them qartë: shtetet shikojnë vetëm interesat e tyre ekonomike e politike. Tani dimë gjithçka e me të gjitha hollësitë, madje. Duhet thënë, më në fund, e vërteta, duke vënë gishtin mbi këtë plagë, që po i kall kolerën mbarë botës. E të vërtetën e thotë vetëm Radio Vatikani, që i përcjell botës zërin e Papës, zërin e së vërtetës. Bota ka nevojë pikërisht për të vërtetën! Bota, që nuk dëshiron të flitet për vdekje, për sëmundje, sepse ka frikë nga këto tmerre. Ndërgjegjet njerëzore duhet të preken nga Fjala e Ungjillit. Duhet që njerëzimi ta rifitojë dinjitetin e të njohë përgjegjësitë në nivel ndërkombëtar e lokal. Ne, të krishterët e mbartim gjithë këtë tmerr me vëllezërit tanë, viktima në Lindjen e Mesme; e mbartim Kryqin e Shëlbimit. E nuk heqim dorë prej tij!








All the contents on this site are copyrighted ©.