2014-09-02 15:28:06

Papa: Shpirti, jo diplomat, i japin identitet të krishterit


Autoriteti i të krishterit vjen nga Shpirti i Shenjtë, jo nga dija njerëzore e as nga diploma në teologji. Këtë nënvizoi sot Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se njeriu është i krishterë, kur ka Shpirtin e Krishtit, e jo shpirtin e botës.RealAudioMP3
Njerëzit çuditeshin nga mësimet e Jezusit, sepse Fjala e Tij kishte autoritet. Prej këtij fragmenti të Ungjillit të sotëm e mori shtytjen Françesku, për t’u ndaluar pikërisht tek natyra e autoritetit të Zotit e, si pasojë, edhe e të krishterit. Jezusi, vërejti, nuk ishte predikatar i zakonshëm, sepse autoriteti i Tij vinte nga vajimi i posaçëm i Shpirtit të Shenjtë. Jezusi, vijoi, është Bir i Hyjit, i vajuar e i dërguar për të sjellë shëlbimin, për të sjellë lirinë. E disa, shtoi, shkandulloheshin nga ky stil i Jezusit, nga identiteti i Tij e nga liria e Tij:
“E ne mund të pyesim veten: ‘çfarë identitei kemi?’. Na e kujton Pali, që thotë: ‘Për këto sende, ne nuk flasim me fjalë të këshilluara nga dija njerëzore’. Pali nuk predikonte sepse kishte bërë ndonjë kurs në Lateranense, në Gregoriana…. Jo, jo, jo! Dija e tij nuk ishte njerëzore! Ishte fryt i mësimeve të Shpirtit të Shenjtë: Pali predikonte me vajimin e Shpirtit, duke shprehur sendet shpirtërore të Shpirtit me terma shpirtërore. Po njeriu, i lënë në fatin e forcave të veta, nuk i kupton sendet e Shpirtit të Zotit: njeriu, i vetëm, nuk mund t’i kuptojë këto”.
E për këtë, kujtoi, nëse ne, të krishterët nuk i kuptojmë mirë sendet e Shpirtit, nuk japim e nuk ofrojmë një dëshmi, atëherë nuk kemi as identitet. Për ta, vijoi, këto sende të Shpirtit të Shenjtë janë marrëzi, sepse nuk janë në gjendje t’i kuptojnë. Ndërsa njeriu, i frymëzuar nga Shpirti i Zotit, është në gjendje të gjykojë çdo gjë, është i lirë:
Tani, ne kemi mendimin e Krishtit, domethënë të Shpirtit të Krishtit. Ky është identiteti i krishterë. Nuk kemi shpirtin e botës, nuk mendojmë e as nuk gjykojmë si bota…Ti mund të kesh pesë diploma në teologji, e megjithatë, të mos e kesh Shpirtin e Zotit! Ndoshta-ndoshta do të jesh teolog i madh, por i krishterë nuk je, sepse nuk e ke Shpirtin e Hyjit! Ai, që të jep autoritet, të jep identitet, është Shpirti i Shenjtë, vajimi i Shpirtit të Zotit”.
Prandaj, tha Papa, populli nuk i donte ata predikatarë, ata doktorë të ligjit, sepse vërtet flisnin për teologji, por fjalët e tyre nuk hynin në zemra, nuk jipnin liri. Ata, shtoi, nuk ishin të aftë të vepronin në mënyrë që populli të gjente identitetin e vet, sepse nuk ishin të vajuar nga Shpirti i Shenjtë:“Autoriteti i Jezusit - e edhe autoriteti i të krishterit, vijnë pikërisht nga kjo aftësi për t’i kuptuar sendet e Shpirtit, për të folur gjuhën e Shpirtit. Vijnë nga vajimi i Shpirtit të Shenjtë. E sa e sa herë ne gjejmë ndërmjet besimtarëve tanë, plaka të thjeshta, të cilat ndoshta nuk kanë kryer as shkollën fillore, që flasin për gjërat shumë më bukur se teologu, sepse kanë Shpirtin e Krishtit. Atë, që ka Shën Pali. E ne të gjithë duhet ta kërkojmë këtë: “O Zot, na e jep identitetin e krishterë, atë, që e kishe Ti vetë. Jepnae Shpirtin tënd. Na e jep hirin të mendojmë si Ti, të ndjejmë si Ti, të flasim si Ti! Zot, na e jep vajimin e Shpirtit Shenjt!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.