2014-09-02 15:28:42

Në Sirakuzë, imzot Tual kujton dhunën fetare në Lindjen e Mesme


“Nuk mund të mos mendoj për dhunën fetare, që shprehet me fjalë fyese e kërcënime, të cilat gjithnjë më shpesh lexohen mbi muret e kishave e të kuvendeve në Tokën e Shenjtë, as për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, që shikon tek konflikti izraelito-palestinez, një nga nyjet më të ngatërruara, e as për terrorizmin e Al Kaedës e të Isis në Irak e në Siri, të cilin bashkësia ndërkombëtare në fillim e shikoi me indiferencë, ndërsa tani, me frikë”.
Është një nga fragmentet e homelisë, që mbajti imzot Fuad Tual, patriark latin i Jeruzalemit, në bazilikën–shenjtërore të Zojës së Lotëve, në 61 vjetorin e përlotjes së Zojës së Sirakuzës. E ipeshkvi vendas, imzot Salvatore Papalardo iu përgjigj: “Marrim pjesë në vuajtjen e popullit tuaj e ia besojmë fatet e tij në lutje, Zojës së Lotëve”.
Sa aktualë janë lotët e Marisë, në këto kohë kaq të trazuara. Kohë mizorie e ligësie. Kohë përdhune e prepotence. Kohë e “Luftës III Botërore”, siç e ka kujtuar këto ditë edhe Papa Françesku.Patriarku foli për tokën e tij: “Ne, barinjve të Lindjes së Mesme, tha, duke parë mizoritë e njerëzve, masakrat e vazhdueshme në Gazë, persekutimin e të krishterëve për fenë e tyre, ne, që ecim në gjurmët e Jezusit, nuk na mbetet tjetër veçse të lutemi, të presim, të derdhim lotë. Na dhemb, kur shikojmë një botë të poshtëruar, sepse të paaftë për ta ndaluar gjithë këtë dhunë, gjithë këtë tmerr. Bota hesht! Dëgjohet vetëm zëri i vdekjes, i vuajtjes, i sëmundjeve. Edhe zëri i njerëzve, që nuk besojnë. E duke mos pasur fe, nuk kanë as përgjigje për gjithë këtë mori pyetjesh. Nëse kemi ende shpresë, kjo buron nga besëlidhja jonë, sa e re, aq e lashtë. E këtë besëlidhje vijojmë ta mbajnë shumë të krishterë të Lindjes së Mesme, që pranojnë më mirë vdekjen, plaçkitjen e gjithë ç’kanë krijuar me djersë një jetë të tërë, ikjen larg vatrave, sesa të kthehen në fenë islame, për të shpëtuar jetën! Me ta, Toka e Shenjtë do të mbetet Toka e Jezusit!







All the contents on this site are copyrighted ©.