2014-09-01 17:52:45

Papa Françesku do të presë përsëri ish-presidentin e Izraelit, Shimon Peres


Të enjten e ardhshme, më 4 shtator, Papa Françesku do të presë në Vatikan ish-presidentin e Izraelit, Shimon Peres. Pritja do të zhvillohet në Shtëpinë e Shën Martës, në orën 9.45, pas meshës së përditshme në kapelën e shtëpisë ku banon Ati i Shenjtë, njofton Salla vatikanase e Shtypit. Kujtojmë se më 8 qershor u mbajt, në kopshtet e Vatikanit, takimi historik i lutjes së Atit të Shenjtë me Patriarkun e Kostandinopojës, Bartolomeu I, me presidentin izraelit Shimon Peres dhe me presidentin palestinez Abu Mazen.
Në bisedën me gazetarët, duke u kthyer nga Koreja, Atin e Shenjtë e pyetën nëse kishte dështuar nisma e atëherëshme për paqen, duke qenë se pak më vonë, në Gazë, shpërtheu dhuna. Me atë rast Françesku u përgjigj: “nuk qe absolutisht dështim” dhe shpjegoi:
“U hap dera e lutjes. U tha: duhet të lutemi. Bëhet fjalë për një dhuratë: paqja është dhuratë, dhuratë e cila meritohet me punën tonë, por është dhuratë. I duhet thënë njerëzimit se, përkrah rrugës së negociatave, që është rëndësishme , të dialogut, që është i rëndësishëm, kemi edhe rrugën e lutjes. Kjo është e sigurt. Pastaj ndodhi çfarë ndodhi, por kjo është punë konjunkturash. Sjellja njerëzore ka një çast themelor: lutjen. Tani, tymi i bombave, i luftimeve, nuk na lejon ta shohim derën, por dera mbetet e hapur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.