2014-09-01 17:51:13

Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell. Pasolini: Portret, nga “Kundërmim Indie”


Sot po e kujtojmë Nënë Terezën, përmes portretit të saj, pikturuar me fjalët e Pier Paolo Pasolinit (Bolonjë, 5.03.1922 - Romë, 02. 10. 1975): poet, shkrimtar, regjisor, skenarist, dramaturg e botues italian. Konsiderohet si një nga artistët e intelektualët më të mëdhenj të shekullit XX, që iu kundërvunë “djajve, bombave atomike e mjeteve të komunikimit” e që, “u përpoqën të ndërtojnë një botë të re, nga katakombet ku jetonin”. Prandaj shkoi në Indi, prej nga solli me vete veprën “Kundërmimi i Indisë”1, përshkrim i shtegtimit, në shoqëri me Alberto Moravinë dhe Elsa Moranten, në Bombay, New Delhi, Benares, Gwalior, Kajurao, Malabar e Calcuta, ku takoi Nënë Terezën, motrën shqiptare, nami i së cilës sapo kishte nisur të merrte dhenë, për t’u bërë model për njerëz, që përpiqeshin, secili sipas mënyrës së vet, të ndërtonin një shoqëri të re, pa njollat e turpshme të mjerimit.RealAudioMP3

Ja edhe portreti:
“Moravia, Morante e unë shkuam në Kalkutë, për të njohur Nënë Terezën, një murgeshë, që kujdesej për të gërbulurit. Në Kalkutë zvargen nëpër jetë 60 mijë të gërbulur, ndërmjet milionave të tjerëve, që kalben së gjalli në Indi. Është një nga tmerret e shumta të këtij kombi, përballë të cilit vendi ndjehet krejt i pafuqishëm. E kam urryer nganjëherë Nehrunë me gjithë bashkëpunëtorët e tij, të edukuar në Cambridge: po duhet të them se isha i padrejtë, ngaqë erdhi koha kur e pashë me sytë e mi se pak e gjë mund të bëhej në këtë situatë, ku njoha Motër Terezën. Motra përpiqet të bëjë sa mundet, me mendimin se vetëm nismat e tipit të saj, mund të shërbejnë, meqë nisin nga mosgjëja. Gërbula, e parë nga Kalkuta, ka një horizont prej 60 mijë të sëmurësh, e parë nga Delhi, horizont të pafundëm. India, e parë nga Delhi, kundërmon duhmë gërbule.
Motër Tereza jeton në mes të kësaj duhme, në një shtëpi të vogël, jo larg qendrës së qytetit, në një rrugicë lakadredhëse, të kuqe nga balta e monsoneve, rrethuar nga një mjerim, që të lë pa frymë. Me të janë edhe pesë motra të tjera, që e ndihmojnë të organizojë kërkimin dhe mjekimin e të gërbulurve e, posaçërisht, i shoqërojnë në grahmat e vdekjes. Kanë një spital të vogël, ku i mbledhin lebrozët, që jetojnë si kafshë rrugëve, për t’u krijuar kushtet të vdesin si njerëz.
Motër Tereza është një grua në moshë, zeshkane, si shqiptarët, bijë e të cilëve është. E gjatë, e thatë, me nofulla virile, me dy sy tejet të ëmbël e depërtues. Kur t’i ngul, të shikon në shpirt. I ngjet çuditërisht Shën Anës së Mikelanxhelos: në tiparet e saj ka vulën e mirësisë së vërtetë, asaj mirësie, që Prusti e përshkruan përmes portretit të shërbëtores Françeska: vulën e mirësisë, pa asnjë gjurmë sentimentalizmi, mirësisë që nuk pret asgjë, mirësisë së qetë e qetësuese, të pushtetshme e praktike,
Ndërsa Atë Vilberti ndryshon krejt prej saj, ndoshta-ndoshta sepse është më i ri... Po mënyra si e njoha nuk është aq e thjeshtë, sa mund të jetë një vizitë. Takimin me të mund ta quaj pa frikë një nga ngjarjet e mëdha të jetës sime!
Këtu, ku zhgrrahen rrugëve miliona të gërbulur, takova Motër Terezën e Kalkutës, që kishte si ideal të jetës, “të boshatiste detin me gishtëz”. Preka “Lapsin e vogël, që shkruante me dorën e Zotit”.

1 “Kundërmimi i Indisë” është përshkrim i udhëtimit të Pasolinit, në shoqëri me Moranten e Moravinë, që gjithashtu shkroi një vepër, kushtuar Vendit vigan aziatik, titulluar “Një ide për Indinë (Bompiani, Milano, 1961).
Në ekspozitën e filmit, në Venedik, më 1968, njëherësh me “Teoremën”, Pasolini paraqiti edhe filmin me metrazh të mesëm, titulluar “Shënime për një film mbi Indinë”, xhiruar në dhjetor 1967. Filmi bazohet mbi legjendën mitike indiane, që flet për një maraxha, i cili u shoi urinë tigrave, me trupin e vet (simbolikisht, çlirimi i parë i Indisë), e më pas, kur India u çlirua, gjithnjë simboliksht, familjarët e maraxhait vdiqën një pas një nga uria gjatë një zije buke. Kështu vdesin heronjtë e botës së tretë, që synojnë ta ushqejnë demokracinë me korpin e tyre e të njerëzve të tyre. Deshi ta bënte filmin një aksion revolucionar, aspak partijak, as politik, absolutisht të lirë, gati-gati deri në anarki. Si ia paraqiti planet disa prodhuesve, iu krijua një mundësi e vetme: të bënte një “speciale” për Tv7, me titull “Shënime për një film mbi Indinë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.