2014-08-31 10:05:08

Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell. Malcolm Muggeridge “Diçka e bukur për Zotin".


Sot po e kujtojmë Nënë Terezën, ndërmjet dy ditëlindjeve, për tokë e për qiell, përmes shfletimit të vëllimit, botuar në vitet ’70, “Diçka e bukur për Zotin”, edhe sot e kësaj dite best-seller botëror. Ishte kjo, vepra që i tregoi për herë të parë botës, kush ishte Nënë Tereza dhe familja e saj rregulltare. Asokohe bota nuk kishte dëgjuar ende të flitej për një murgeshë imcake, që endej rrugëve të Kalkutës, për të shpëtuar, të pashpëtueshmit. E shndërrohej, kështu, në simbol të kujdesit e, sidomos, të dashurisë së krishterë, për të varfërit. Duke bërë “Diçka të bukur për Zotin.
Ky është edhe titulli i shërbimit fatlum televiziv, që pati xhiruar për Bbc-në, në vitin 1969, në Kalkutë, gazetari i famshëm anglez, Malcolm Muggeridge. Prej këtij shërbimi lindi edhe libri më i njohur, me të njëjtin titull, në faqet e të cilit po ritakohemi me Nënë Terezën, ndërmjet dy ditëlindjeve të saj. Nuk është biografi e mirëfilltë, por përmbledhje e fjalëve dhe e reflektimeve, që gazetari i mblodhi duke ecur pranë e pranë Nënë Terezës nëpër rrugët e Kalkutës, duke e shoqëruar në sa zhytej në baltën e mjerimit, për ta nxjerrë njeriun e braktisur e të harruar nga kjo baltë, në dritën e dashurisë së Zotit për të gjitha krijesat e veta. Bënte, kështu, “diçka të bukur për Zotin!” Lajtmotiv i veprës e i jetës së asaj, së cilës i kushtohet libri me këtë titull.
Vëllimi, shumë i pasur me foto bardh e zi e me ngjyra, në format të madh, është shenjë nderimi e dëshmi e autorit, për një grua që diti, si moskush, të bëhej Ungjill i gjallë mes njerëzve të mbarë botës, të pasur e të varfër. E pra kur Malcolm Muggeridge e shkruante, askush nuk e njihte Nënën tonë e askujt nuk i shkonte as nëpër mend se vetë atdheu i Terezës së mohuar, do të bëhej aq i njohur përmes saj, sa po t’i kujtosh kujt se je shqiptar, të përgjigjet plot admirim: “Aaa! nga Atdheu i Nënë Terezës!”. Prej këtij libri do të lindte kërshëria botërore për “zbuluar, Nënë Terezën, këtë personalitet të pashembullt, monument i dashurisë së krishterë në shekullin e akullimit të saj, e për të bërë “Diçka të bukur për Zotin”
Libri e fton lexuesin të ecë pas Nënë Terezës, në rrugët e mjerimit me njëmijë fytyra, për të dëgjuar përgjigjen e saj për pyetjet më të shqeta të shpirtit njerëzor.
“Diçka e bukur për Zotin” i propozon ta gjejë lumturinë atje, ku më pak se kudo e kërkon bota e sotme, që rreket të sulmojë majat e jetës, duke i harruar fare greminat e saj, ku mund të rrokulliset përças. E duke harruar, sidomos, se duhet të pranosh Kryqin, nëse dëshiron të lartohesh në lumni...
“Diçka e bukur për Zotin” mbart, në vite, mesazhin e Nënë Terezës, që vijon të shtegtojë në udhët e botës.
E është edhe ftesë drejtuar ne të gjithëve për të bërë “Diçka të bukur për Zotin”
Prandaj e kujtuam të parën këtë vepër.
E po kujtojmë edhe autorin e saj: Malcolm Muggeridge, anglez, që lindi në vitin 1903. E nisi karrierën si lexues në Universitetin e Kairos, për t’u marrë, më pas, me gazetari. Punoi në disa organe ndërkombëtare shtypi: The Guardian, Calcuta Statesman, Evening Standarst e Daily Telegraph. Më pas u mor edhe me programe për radion e televizionin, për llogari të Bbc. Vdiq në vitin 1990, në moshën 87 vjeçare, pasi kishte krijuar edhe ai “Diçka të bukur për Zotin”. Kishte bërë të njohur Nënë Terezën, në botë e në Shqipëri, ku ajo hyri për herë të parë në maje të gishtave përmes ekraneve të shpërfytyruara të televizorëve, deri ditën kur mundi të shkelë në dheun e saj, prej të cilit kishte gjakun e ku kishte varret e gjinisë. Hyri, për të bërë dhe në trojet e veta “Diçka të bukur për Zotin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.