Siri: OKB-ja denoncon mizorinë e xhihadistëve e edhe regjimin. Atë Hilal: luftë e
harruar
3 vjet pas fillimit të luftës në Siri, shkelja e të drejtave të njeriut kalon nga
dhuna, në mizori. Me të vrarë e të torturuar, trupat e të cilëve kalben rrugëve, që
t’i tmerrojnë të gjallët. Paralajmërim ogurzi për fatin, që i pret, po t’i kundërvihen
xhihadistëve. E shtjellon hollësisht këtë situatë, Komisioni hetimor i OKB-së për
Sirinë, përmes Raportit mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në këtë vend, duke publikuar,
në Gjenevë, një raport shokues. E po për të flet, në mikrofonin tonë edhe rregulltari
jezuit, Zihad Hilal, koordinator i qendrave për fëmijët pranë Jesuit Refugee Service,
në Homs, që denoncon, në mikrofonin tonë, edhe heshtjen e mediave për Sirinë.
Përgjigje:
- I think the international community... Mendoj se bashkësia
ndërkombëtare sot është duke e harruar Sirinë. Nuk flitet për Sirinë në këto çaste,
në media. Po unë mendoj se kjo është më e rëndësishme se kurrë. Duhet folur, e vazhdimisht,
për Sirinë, për paqen e pajtimin, për zgjidhjen e problemeve tona. Është shumë, tepër
e rrezikshme, të lihen sirianët në mëshirën e kësaj lufte njëri kundër tjetrit. Në
Siri, dihet, ka shumë fe, shumë etni e do të ishte tejet e rëndësishme të kishte dhe
shumë dialog. Synimi ynë, në fund të fundit, është të sigurojmë paqen për popullin
tonë e për qytetërimin tonë, sepse po vazhduam kështu, lufta s’do të lërë gjë pa rrënuar.
Pyetje:
- Me se merreni në Homs?
Përgjigje: -We have 3 humanitarian
centres… Kemi tri qendra humanitare: njëra për shpërndarjen e ushqimeve dhe
gjërave të tjera të domosdoshme për jetesën, dy të tjerat, për ndihmën shkollore,
shoqërore e psikologjike të fëmijëve. Kemi rreth 3500 fëmijë të gjymtuar nga lufta
e shumë vullnetarë. Punojmë për gjithë këto njerëz, në kohë kaq të vështira.