2014-08-29 16:59:10

Papa pret famullitarin e Gazës, atë Hernandez: çast hiri e inkurajimi


Papa priti sot Atë Jorge Hernandez, misionar argjentinas i Institutit të Fjalës së Mishëruar, famullitar i Gazës. Ishte një bisedë e ngarkuar me informacione e emocione, gjatë së cilës u rikujtuan çastet më dramatike të javëve të fundit, menjëherë pas këtij takimi me Papën, e intervistuam atin Hernandez:

Përgjigje: - Për ne, është hir. E nuk është hera e parë, madje, gjatë luftës, Papa Françesku ka qenë gjithnjë pranë nesh: na ka dërguar edhe një e-mail, të cilin ne e përkthyem menjëherë në arabisht e u bë i njohur në të gjitha bashkësitë e krishtera, që e falënderuan nga zemra Papën. E tani, fakti që na thirri për një takim personal me të, për të na kuptuar, për ta ndjerë nga afër praninë e tij, fjalën e tij, inkurajimin që të jemi kripë e dritë e kësaj ane të botës.

Pyetje: - Ndonjë fjalë e Papës, që ju preku më shumë në këtë takim?

Përgjigje: - Është ajo e dëshmisë së krishterë. Papa tha: “Ungjilli kërkon flijime. Jezusi kërkon nga secili prej nesh të flijohemi në vise të ndryshme. Ju ju përket ta dëshmoni Jezusin atje, në tokën që e pa duke vuajtur, që e pa duke vdekur, por ama që e pa edhe duke u ringjallur. Forca, pra, e zemër. Përpara!”. Ishin këto fjalët e Françeskut, që më prekën më shumë në shpirt.

Pyetje: - Fjalë inkurajimi, pra, për ta vijuar dëshminë tuaj të fortë, në këtë tokë të shembur përdhe nga dhembja...

Përgjigje: Po. Sidomos për jetën tonë të mbushur me dhembje. Papa Françesku është i vetëdijshëm për faktin që ne jemi pakicë: flitet për 1.300 të krishterë, ndërmjet 2 milionë banorësh, nga të cilët, vetëm 136, katolikë. Famullia jonë, pra, ka vetëm 136 besimtarë, në marrëdhënie shumë të mira me ortodoksët. Mundohemi të punojmë krah për krah, po kjo tashmë dihet. E ecim përpara kështu.









All the contents on this site are copyrighted ©.