2014-08-29 15:22:19

Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell.Gjon Pali II e Benedikti XVI për të Lumen Nënë Terezë


Papa Gjon Pali II, që e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht Nënë Terezën, e ka quajtur "dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve epërsinë e dashurisë ungjillore, posaçërisht kur kjo dashuri gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të poshtruarit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Po kujtojmë vetëm disa nga vlerësimet e Atit të Shenjtë për Bijën e Madhe të shqiptarëve:RealAudioMP3
"Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtzakonshëm i misionit të heshur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur.
Në fytyrat e të mjerëve, pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të dihasë: "Kam etje!".
E ajo iu përgjigj kësaj dihame, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Zotit, duke ia dhuruar vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që vdisnin rrugash.
Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta.
Dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes - deri në grahmën e fundit.
Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke u lutur që ta marrë shpërblimin e merituar në mbretërinë e Hyjit.
Uroj që shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës të jetë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!".

Ndërsa Benedikti XVI shprehet kështu për Nënë Terezën
Më 4 janar 2008, duke vizituar Shtëpinë romake të Nënë Terezës, ‘Dhurata e Marisë e duke kujtuar rolin e kësaj Shtëpie, zgjedhur nga vetë Nënë Tereza, Papa Benedikti pati thënë: “Kushdo që vjen e troket në këtë portë, merr dhuratën e Marisë, pritjen me krahë hapur nga motrat e vullnetarët. Dhuratë e Marisë është prania e atyre, që ndalohen të dëgjojnë njerëzit në vështirësi e t’u shërbejnë me të njëjtin zell, që e nxiti Nënën e Zotit të ngarendte në ndihmë të Shën Elizabetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.