2014-08-28 13:44:54

Programi i vizitës së Papës në shenjtëroren e Redipuglia-s


Më 13 shtator, Papa Françesku do të shkojë në Shenjtëroren e Redipuglia-s, në Itali, për të kujtuar 100-vjetorin e fillimit të Luftës I Botërore, lufta me më shumë viktima në historinë e njerëzimit.
Gjatë vizitës njëditore, Ati i Shenjtë do të shkojë në varrezën austro-hungareze. Do të hyjë i vetëm në varrezë e do të qëndrojë në lutje para monumentit qendror, ku do të vendosë edhe një kurorë me lule. Në orën 10.00, do të kremtojë meshën në shenjtërore. Në fund, do të thotë një lutje për të rënët e për viktimat e të gjitha luftrave. Papa Françesku do t’u dorëzojë Ordinarëve Ushtarakë dhe ipeshkvijve të pranishëm një llambë, e cila do të ndizet në çdo dioqezë, gjatë kremtimeve për përkujtimin e Luftës I Botërore. Në orën 12.00, Ati i Shenjtë do të kthehet sërish në Vatikan.
Shenjtërorja ushtarake e Redipuglia-s është një varrezë monumentale në krahinën Friuli Venezia Giulia të Italisë. Ndërtuar gjatë epokës fashiste, i kushtohet kujtimit të 100 mijë ushtarëve italianë, rënë gjatë Luftës I Botërore, pikërisht në këtë zonë. Shenjtërorja është në qendër të një parku përkujtimor 100 hektarësh në provincën e Gorizia-s, pa dyshim, më i madhi i Italisë, por edhe një nga më të mëdhenjtë në botë. Çdo 4 nëntor, këtu përkujtohen zyrtarisht 689 mijë ushtarët italianë, që humbën jetën gjatë Luftës I Botërore, e cila për Italinë, përfundoi më 4 nëntor 1918.








All the contents on this site are copyrighted ©.