2014-08-28 13:20:49

Patriarkët e Kishave Lindore: thirrje për të krishterët e persekutuar nga ISIS


Në një deklaratë të publikuar në fund të mbledhjes së djeshme në Liban, patriarkët e krerët e Kishave Lindore denoncojnë “krimet kundër njerëzimit”, kryer nga xhihadistët e Shtetit Islamik të Irakut e Sirisë, sidomos persekutimin e të krishterëve, të jazidëve e të pakicave të tjera.
Prania e krishterë, nënvizojnë Patriarkët, është në rrezik në disa vende, në veçanti, në Egjipt, Siri dhe Irak. “Të krishterët janë viktima të sulmeve e të krimeve të urryera, që i shtyjnë të emigrojnë nga vendet e tyre, ku janë qytetarë që prej mëse njëmijë vjetësh. Shoqëritë islamike dhe arabe privohen kështu nga një pasuri e rëndësishme njerëzore, kulturore, shkencore, ekonomike e kombëtare”.
Patriarkët përmendin gjendjen katastrofike në Mosul e në 13 fshatra të tjera të Pllajës së Ninives, në Irak, ku xhihadistët kanë shkaktuar shpërnguljen e mëse 120 mijë vetëve, kanë dhunuar kisha, xhami e shenjtërore dhe kanë shkatërruar shtëpitë e braktisura nga popullsia, që është detyruar të fshihet në zonat kurde të Erbilit e të Dohukut.
Krerët e Kishave Lindore kërkojnë një ndërhyrje të vendosur për të ndaluar “veprat kriminale” të ISIS-it. U kërkojnë sidomos institucioneve islamike të dalin hapur kundër xhihadistëve, të cilët, përfundon deklarata, dëmtojnë ndjeshëm imazhin e Islamit në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.