Kisha kujton Shën Agostinin, burrë i madh, gjithnjë në kërkim të së vërtertës
Kisha kujtoi sot Shën Agostinin, njeri i shqetë, në kërkim të së vërtetës, filozof
e pastaj ipeshkëv i Iponës. Pikërisht shqetësimin e tij vuri në dukje Papa Françesku
vitin e kaluar, duke vizituar bazilikën romake të Shën Agostinit në Campo Marzio,
ku kryesoi Meshën e hapjes së Kapitullit të përgjithshëm të urdhërit agostinian. Sot
pasdite, në të njëjtën bazilikë, Meshën përkujtimore me rregulltarët agostinianë e
kryesoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, që zbuloi edhe
një pllakë mermeri në kujtim të vizitës papnore. Për frytet, që sollën fjalët e Papës,
shqiptuar një vit më parë, flet, në mikrofonin tonë, atë Pasquale Cormio, patrolog
agostinian
Përgjigje: - Papa na ngarkoi ne, të gjithë agostinianëve,
një detyrë: të thellojmë temën e shqetësimit. E na tregoi edhe tre aspektet e mundshme,
për këtë thellim: shqetësimi i kërkimit shpirtëror, shqetësimi i takimit me Zotin
e shqetësimi i dashurisë. Të tre aspektet lidhen ngushtë me jetën e Shën Agostinit
e janë me vlerë edhe për sot. Shqetësimi shpreh dëshirën për lumturi, që zjen në zemrën
e çdo njeriu, është shtytje, që ai të mund të lëvizë, me dëshira, më shumë se me këmbë,
për ta kërkuar e për ta gjetur të vërtetën, domethënë, Jezu Krishtin. E, si agostinianë,
ne përpiqemi të ecim në këtë rrugë, që na e kujtoi edhe Ati i Shentjë: kërkimi i së
vërtetës, është kërkim i lumturisë e zotërim i lumturisë. Po lumturinë mund ta gjejmë
plotësisht vetëm në Jezu Krishtin.
Pyetje: - Agostini e kujton vazhdimisht
shqetësimin e njeriut. Si mund të fashitet shqetësimi i njeriut modern?
Përgjigje:
- Është ecje. Udhë që duhet bërë, për të shkuar përpara. Kështu e mendonte Shën
Agostini. Sepse shqetësimi është diçka, që të shtyn, të bën të jesh gjithnjë etshëm,
gjë që të nxit të vijosh kërkimin, deri te gurra. Për Agostinin, shqetësimi nxitet
fort nga bukuritë e natyrës, nga krijimi: gjurmë të pranisë së Zotit nëpër botë. E
një formë tjetër e shqetësimit, është ajo e kërkimit të së vërtetës, të lumturisë,
që vijon edhe sot në zemrën e njerëzve. Kërkimi i Zotit niset gjithnjë nga kërkimi
i njeriut, e njeriu brenda vetes gjen shenjat e pranisë së Zotit. Atëherë vetë shqetësimi
është dhuratë e Hyjit, që e nxit njeriun të ecë në kërkim të përhershëm të Atij të
Lumit. Shumë të rinj, që nuk arrijnë ta gjejnë kuptimin e jetës, përfundojnë si Agostini
në vitet e para, kur i shpërdoroi dhuratat e Zotit. Hapi i parë për ne është t’i pranojmë
dhuratat e Zotit në jetën tonë e ta falënderojmë për to.
Pyetje: - Ju,
agostinianët, deshët të lini edhe një shenjë të dukshme të vizitës së Papës Françesku
vitin e kaluar, më 28 gusht. Pse kjo shenjë? Përgjigje: - Për të kujtuar
bujarinë, vëmendjen e Atit të Shenjtë për urdhërin agostinian, e edhe praninë e Papës
mes nesh, përmes pllakës përkujtimore, që do t’i flasë njerëzve në kalim.