2014-08-27 13:36:41

Papa në audiencën e përgjithshme: të mbjellësh përçarje nuk është e krishterë, Kisha është bashkim


Përçarja, në gjirin e Kishës, është një nga mëkatet më të rënda, sepse rrënon marrëdhëniet e këput fillin që na bashkon me Hyjin. Është pohim i Papës Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e më se 10 mijë vetëve. Papa i nxiti të gjitha bashkësitë të bëjnë kthesë në shenjë harmonie e pajtimi.RealAudioMP3

Kisha, për vetë natyrën e saj, është shtëpia e “veprimtarëve të paqes”. Banohet nga njerëz të bashkuar, që duhen, falin e falen në Hyjin. Kisha nuk është kurrë strehë për ata, që mbjellin thathesheme, aq më pak për njerëz, të cilët kapen pas saj, për të realizuar synimet e tyre, duke përçarë e duke rrënuar unitetin. Papa Françesku kujtoi se në çastin kulmor të Darkës së Mbrame, Jezusi lutet me gjithë shpirt për bashkimin, duke iu drejtuar Atit Qiellor me fjalët: “Atë, të lutem që të jenë një gjë e vetme!”. Atëhere reflektimi për Kishën, që është “një e shenjte”, duke vijuar, nxori në dritë gjithçka rrezikon kompaktësinë e korpit kishtar. Janë shumë, pohoi Papa Françesku, mëkatet kundër unitetit e, për ta saktësuar më mirë, kujtoi së pari “mëkatet famullitare”:
“Nganjëherë famullitë tona, që duhet të jenë vende takimi vëllazëror e bashkimi, fatkeqësisht brehen keqas nga zilitë, xhelozitë, antipatitë… E atëherë ia nisin thathethemet, që përhapen derë më derë. Sa shumë përgojohet nëpër famullitë. E kjo nuk është aspak e mirë. Kur ndokush, për shembull, zgjidhet drejtues i ndonjë fondacioni, nisin sakaq thashethemet kundër tij. E kur një tjetër zgjidhet drejtuese e katekizmit, përsëri mbijnë gjithfarë përgojimesh kundër saj. Po kjo nuk është Kishë. Nuk duhet bërë kështu! Nuk duhet bërë!”.
Kjo zakonisht ndodh, kur ndokush synon të zërë vendet e para. Atëherë ia nisin gjykimet kundër tij. E i vihen në dukje vetëm të metat, duke i harruar fare meritat. Ashtu si i jepet më shumë rëndësi asaj që përçan, sesa që bashkon, pa harruar, vijoi Papa Françesku, se po këto mëkate, që minojnë unitetin në mjediset e përditshme, shkaktuan, në shkallë më të gjerë, dhunë e përçarje epokale:
Nëse shikojmë historinë e Kishës, sa përçarje ndërmjet të krishterëve do të vërejmë. Edhe sot e kësaj dite jemi të ndarë. Edhe në histori ne, të krishterët, u ndeshëm keqas ndërmjet nesh për shkak të mendimeve të ndryshme teologjike. Duhet të punojmë edhe për bashkimin e gjithë të krishterëve, të ecim në udhën e unitetit, pikërisht në atë udhë, për të cilën u lut Jezusi, në atë, që Zoti e do.”
Prej këndej, për të shmangur rrezikun e rënies në tundimin e përçarjes, duhet ta mbajmë gjithnjë ndërgjegjen zgjuar, të vetëdijshëm se nuk jemi fare pa armiq. I kemi ca. E ndërmjet tyre, djalli, ai që përçan, pështjellon, rrënon lidhjet, përhap paragjykime:
“Ndarja në gjirin e një bashkësie të krishterë, qoftë shkollë, famulli a shoqatë, është mëkat i rëndë, sepse, vepër e djallit. Ndërsa Hyji dëshiron ta thellojmë aftësinë për ta mirëpritur njëri-tjetrin, për ta falur e për ta dashur. Vetëm kështu do të mundemi t’i ngjasim sa më shumë Atij, që është bashkim e dashuri. E këtu qëndron edhe shenjtëria e Kishës: në pranimin se jemi shembëlltyrë e Zotit, përplot me mëshirën e me hirin e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.