Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell. Pali VI për Rregulltaren
shqiptare(pjesa I).
Duke kujtuar të Lumen Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve, po ju njohim sot me fjalën
e mbajtur nga Papa Pali VI në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Ndërkombëtar për Paqen
“Gjoni XXIII”, të mërkurë, më 6 janar 1971. Është një nga çmimet e para ndërkombëtare,
që merrte Nënë Tereza, ende pak e njohur në botë, për të arritur, pastaj, hap pas
hapi, në tribunën e Nobelit për Paqen, më 17 tetor 1979, e njohur tashmë botërisht
si gruaja më e varfër, e më e famshme në planet. Por, të ndjekim fjalimin e Palit
VI, me vlera thellësisht aktuale, që vijon të na ftojë për ta rimenduar gjithçka ndodhi
atë ditë të largët janari.
“Pas fjalëve, që u thanë për të kumtuar dorëzimin
e Çmimit Ndërkombëtar për Paqen, me emrin e paraardhësit tonë të ndjerë, Nënë Terezës,
e pranishme mes nesh, mund të duket se gjithçka u tha e se nuk na mbetet tjetër, veçse
të shprehim kënaqësinë për ngjarjen fatlume. E këtë po bëjmë, duke i falënderuar të
gjithë ata, që e përgatitën, posaçërisht Këshillin e Fondacionit, që ka meritën e
dorëzimit të këtij Çmimi për herë të parë; e po e bëjmë këtë, duke falënderuar gjithë
të pranishmit në këtë kremtim kaq kuptimplotë, duke i shprehur, pastaj, admirimin
tonë, asaj që iu dorëzuar Çmimi dhe ndjekësve e bashkëpunëtorëve të saj e duke i bekuar
me gjithë zemër. Gjithçka duket, kështu, e kryer. Mund të themi qetësisht: takimi
përfundoi; pas tre vjetësh, në dashtë Zoti, do të mblidhemi përsëri, me kë nuk e dimë,
por e dimë mirë se do të na shtyjë për t’u mbledhur, i njëjti ideal i Paqes, sepse
Çmimi ka karakter të përhershëm. Tani për tani, e kujtuam edhe më sipër, do të na
dukej se s’mbeti më asgjë për t’u thënë. Po të mos e ndjenim të gjithë në shpirt
se gjithçka mbetet ende për t’u thënë. Fjalimet, që dëgjuam e motivacioni, që u lexua
për dorëzimin e Çmimit, themelimi e Themeluesi i Çmimit, qëllimi i tij, Paqja, dhe
rregulltarja e përvuajtur, së cilës iu dorëzua, vepra e saj e kuadri historik, shoqëror
e njerëzor, në të cilin radhitet kjo vepër, i gjithë ky kremtim, mbeten për t’u komentuar,
për t’u rimenduar, për t’u kuptuar. Gjithçka këtu është objekt reflektimi. Ne të gjithë
bëjmë mirë të marrim me vete nga ky takim, propozimin për meditim. Shpirtrat janë
plot frymëzim për të menduar e, ndoshta-ndoshta, jo vetëm për të menduar, por sidomos,
për të bërë. Duhet falënderuar, pikësëpari, Zoti, që na jep, ndërmjet sa e sa aktheve
e mundimeve të jetës sonë të përditshme, një ngushëllim kaq të dlirë, kaq të gjallë,
kaq shprehës: e mira është mes nesh, e mira vepron, e mira sundon: ç’ngushëllim, ç’mësim,
ç’shpresë! Për të lidhur fillin e mendimit, që zhdridhet menjëherë në shpirtin reflektiv,
vërejmë se ky koment do të vijonte pa fund. Të zgjedhim shpejt e shpejt ndonjë shtysë. Shtysa
e parë na nxit ta kritikojmë vetë veprimtarinë tonë në këtë çast: thua është në përkim
me shpirtin e krishterë të jepen, në praninë e publikut, çmime për një vepër të mirë?
Vepra e mirë a nuk duhet bërë në heshtje e përvujtëri, sipas Ungjillit, që na porosit
të mos e dijë as e majta, veprën mirë, që bën e djathta e të mos e presim shpërblimin
e merituar për veprën e kryer nga askush tjetër, veç Atit, që shikon në fshehtësi?
(Cfr Mt 6,3-4) Është e vërtetë: e mira duhet bërë përvujtërisht, pa kurrfarë
mburrjeje e publiciteti; nuk duhen pritur çmime nga njerëzit e në kohë; çmimin ia
jep vetë Zoti, atij që bën mirë; por Zoti thotë edhe se drita nuk duhet vënë nën shinik,
por mbi pishtar, që t’i shndrisë të gjithë njerëzit e shtëpisë; e shton (gjë që do
ta kënaqë edhe modestinë e Nënë Terezës), se kjo dritë duhet të ketë dy qëllime, pavarësisht
nga nderimet, që meriton drita: i pari është shndritja e të tjerëve, i dyti, lumnimi
i Atit qiellor (Cfr Mt 5,15-16), nga i cili buron çdo mirësi (Jak 1,17).
E këtë duam të bëjmë edhe ne, me dorëzimin e këtij Çmimi, e sigurisht deshi ta bëjë
edhe Papa Gjoni, duke e shndërruar në një fondacion të qëndrueshëm, që e mira të nxisë
të mirën, gjithnjë më me fryt. Kemi pse të kënaqemi. Ky Çmim, pra, u dorëzua me ndjetin
e përhapjes gjithnjë më me fryt të së mirës e me besimin se paraqitëm para syve të
publikut, një shembull të vërtetë bamirësie.Këtu përfundon edhe pjesa I e fjalimit
të Palit VI. E dyta, në emisionin e ardhshëm.