2014-08-27 14:09:01

Armëpushim “i pakufizuar” në Gazë: Izraeli hap pikëkalimet


Pas pesëdhjetë ditë luftimesh, heshtin armët në Gazë: Egjipti ia arriti të ndërmjetësojë një marrëveshje për armëpushim “të pakufizuar” ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Nga ora 18 e ditës së djeshme nuk ka më të shtëna, me përjashtim të një breshërie nga Rripi i Gazës në drejtim të fshatrave kufitare me enklavën palestineze. Viktimat e fundit: dy civilë izraelitë, qëlluar me predhë, dhe tre palestinezë, qëlluar me raketat kundërsulmuese të shtetit hebraik. Kështu merr fund operacioni më i gjatë i Izraelit në Rripin e Gazës, që filloi më 8 korrik, pas raketave të njëpasnjëshme nga ana e Gazës.RealAudioMP3
Ushqim, barna mjekësore dhe gjithçka që mund të plotësojë nevojat e ngutshme në Rripin e Gazës pritet të mbërrijnë sa më parë për njerëzit e drobitur nga tmerret e luftës. Të drobitur janë edhe izraelitët e viseve jugore, që kanë jetuar nën kërcënimin e raketave e të predhave. Ndihmat humanitare për Gazën do të kalojnë nëpër pikëkalimet izraelite dhe nëpër pikëkalimin egjiptian të Rafës. Që tani e në vijim kjo pikë do të mbetet e hapur, por jo më nën kontrollin e Hamasit. Përgjegjësia do t’i kalojë presidentit të Autoritetit Palestinez, Abu Mazen. Zgjidhja e problemeve, që e ndezën konfliktin, pritet të arrihet me anë të negociatave të ndërmjetësuara midis palëve, të cilat duhet të fillojnë pas një muaji. Palestinezët kërkojnë heqjen e bllokadës, hapjen e portit të Gazës dhe të aeroportit ndërkombëtar, zgjerimin e kufirit detar të peshkimit dhe një korridor tokësor ndërmjet Gazës dhe Cisjordanisë. Izraelitët kërkojnë çarmatosjen e Rripit të Gazës, domethënë çarmatosjen e Hamasit dhe të grupimeve të tjera ushtarake, si dhe mbylljen e tuneleve që arrijnë deri në nëndheun izraelit.
Duke qenë se zgjidhja nuk duket e lehtë, hebrenjtë nuk e kanë pritur me entuziazëm, por me pakënaqësi marrëveshjen e armëpushimit, veçanërisht banorët në afërsi të Gazës, të cilët kanë vuajtur më shumë nga ky konflikt. Për këtë arsye popullariteti i Netanjahut, në rënie të vazhdueshme, ka zbritur nga 82 përqind, në fillim të operacioneve tokësore në Gazë, në 38 përqind pas marrëveshjes. E papërshkrueshme, nga ana tjetër, hareja e popullsisë së Gazës, nëpër rrugët e të cilës fundamentalistët islamikë mburren se luftën e kanë fituar ata.
Marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe të përpjekjeve diplomatike të shteteve të tjera, sidomos SHBA, duket tejet e brishtë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon pohon se shkeljet e mundshme do të ishin të papërgjegjshme dhe uron të respektohet marrëveshja e armëpushimit.
Për 50 ditë konflikti në Gazë ka shkaktuar 2000 të vdekur, një e katërta e të cilëve ishin fëmijë. Por lufta lë pas edhe plagë të tjera: të mitur të plagosur rëndë dhe tronditjen e të mbijetuarve, që zor se mund të harrohet.
Në lidhje me zhvillimet më të fundit, Radio Vatikani foli me drejtorin e Karitasit të Jeruzalemit, Atë Raed Abusahlia, i sapokthyer nga një shërbim në Gazë:

Kjo luftë 51-ditore ka shkaktuar një gjendje të tmerrshme në Gazë. Para së gjithash të vdekurit – më se 2200 – pjesa më e madhe e të cilëve, civilë; ndërmjet tyre, rreth 550 fëmijë, 300 gra e më se 200 të moshuar... Pastaj të plagosurit, më se 11 mijë, një e treta e të cilëve do të mbesin të gjymtë. Do të duhen 7 deri në 10 vjet për të rindërtuar ç'u shkatërrua në 51 ditë. Sot një e katërta e popullsisë së Gazës jeton nëpër shkolla dhe më se 15 mijë familje, kur të kthehen në shtëpitë e tyre, do t’i gjejnë të rrafshuara. Janë dëmtuar pjesërisht edhe 30 mijë banesa të tjera. Në Gazë jetojnë 400 mijë fëmijë, nxënës: kur do të fillojë viti shkollor për ta? Shkollat janë të gjitha plot me të shpërngulur.

Çfarë mund të bëjë Karitasi për këta fëmijë?

Ne, si Karitas, kemi hapur qendrën tonë mjekësore në kampin e Al Shatit dhe çdo ditë kujdesemi për 150-200 vetë, kryesisht fëmijë me sëmundje të ndryshme. Pjesa më e madhe e fëmijëve jetojnë nëpër shkolla, në mjedise shumë të vështira... Vullnetarët tanë të Karitasit kanë organizuar për ta ditë argëtimi, për t’u krijuar një atmosferë të gëzueshme fëmijëve që jetojnë aty prej javësh.

Pra, lufta la pas vetëm rrënim, pa e zgjidhur problemin e sigurisë për popullin izraelit. Ju jeni në kontakt me popullsinë palestineze: si i përjeton sulmet, që kryejnë bashkëatdhetarët e tyre kundër Izraelit, që pastaj shkaktojnë kundërreagimet e shtetit hebraik?

Sigurisht, të dyja palët vuajnë rrjedhojat e kësaj lufte. Kjo luftë provoi se zgjidhja ushtarake e konfliktit nuk është e mundur dhe se shteti i Izraelit, me gjithë forcën e vet, nuk mund të kontrollojë ushtarët e Hamasit pas 50 vjetësh e, sidomos, nuk mund të kontrollojë më vullnetin e një populli, i cili kërkon liri. Pra, unë e di se popullsia e Gazës dëshiron fundin e kësaj lufte dhe jo dhunën kundër Izraelit. Dhe nuk kërkon të pamundurën: kërkon të jetojë në paqe një jetë normale si të gjithë popujt e tjerë të botës. Nga ana tjetër, sigurisht, ne jemi të krishterë dhe themi se izraelitët kanë të drejtë të jetojnë të sigurt. Por duhet ta kuptojnë se, nëse dëshirojnë sigurinë dhe paqen, rruga më e shkurtër nuk janë muret, nuk janë bombardimet, nuk është forca ushtarake: rruga më e drejtë është drejtësia për popullin palestinez, fundi i pushtimit. Shumë izraelitë e kanë kuptuar këtë mësim. Pak më parë prita në zyrë një përfaqësues të një lëvizjeje paqësore izraeliane, që quhet “Bus for peace”, autobusi i paqes. Këta na kanë ndihmuar, gjatë këtyre ditëve, për të mbledhur ushqime, qumësht e para për popullsinë e Gazës. Jo vetëm ata, por shumë organizata izraelite, si “Women to Women” – gratë për gratë. Një tjetër grup quhet “Yad b’Yad”, që do të thotë dorë për dore, një tjetër quhet: “We say enough”, domethënë “Ne themi mjaft”. Atëherë, të gjitha këto grupe, që dëshirojnë paqen, ndjehen fajtorë për çfarë po ndodh në Gazë, sepse kanë parë rrënimin, vdekjen e shumë të pafajshmëve, dhe thonë se ajo që po bën shteti i Izraelit është humbje morale për shpirtin e judaizmit, në kuptimin se, nëse duan t’i rrinë vërtet besnikë moralit të fesë hebraike, duhet bërë drejtësi e duhet zgjidhur ky konflikt, duke i dhënë fund pushtimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.