2014-08-26 14:20:44

Ju kumtojmë Lajmin e Mirë


Në rubrikën “Ju kumtojmë Lajmin e Mirë”, jemi në kapitullin e gjashtë të Ungjillit sipas Markut. Sot dërgimi i dymbëdhjetë apostujve (6,7-13).
Tregimi për misionin e të dymbëdhjetëve fillon me dy folje të rëndësishme: Jezusi “thirri” pranë vetes të dymbëdhjetët dhe i “dërgoi” dy nga dy. “Thirrja” e Jezusit tregon se misioni (mision është forma latine e fjalës dërgim) buron prej tij dhe se misionari i vërtetë është gjithnjë i themeluar mbi thirrjen e Jezusit. I dërguari nuk është vetë burimi i veprimtarisë së vet, prandaj ka nevojë, gjatë gjithë misionit të tij, të vijojë të dëgjojë atë që e ka thirrur.
Marku, sikurse edhe ungjilltarët e tjerë, tregojnë se Jezusi i dërgoi apostujt “dy nga dy”. Nëse jeta apostolike është e themeluar mbi thirrjen, atëherë ajo hapet vetvetiu ndaj bashkësisë. Apostulli jo vetëm që nuk vepron në emër të vet, por nuk vepron as i vetëm. Thirrja e vendos njeriun në një bashkësi dhe prova më e mirë e dëshmisë së fesë në Hyjin është aftësia e të thirrurve për të ndërtuar bashkësinë.
Thirrja nuk është diçka mekanike, që ka të bëjë me fazat e detyreueshme për zbatimine një projekti, siç mund të jetë ai i kumtimit të lajmit të mirë. Kush e pranon thirrjen e Jezusit hyn në bashkësi me të dhe i ngjan atij. Që në krye të tregimit për dërgimin e apostujve, Marku thotë se Jezusi “u dha pushtet mbi shpirtrat e papastër” (v.7). Lidhja e fortë me Jezusin në sajë të thirrjes, që pranohet jo si urdhër për t’u zbatuar mekanikisht, por si mundësi për të ndërtuar një bashkësi shpirtërore me të, e bën apostullin si Jezusi, të aftë të ushtrojë pushtet mbi shpirtrat e papastër.
Vetëm pasi të kuptohet natyra e lidhjes së ngushtë që krijon thirrja ndërmjet Jezusit dhe apostullit, mund të kuptohet edhe liria nga gjërat e kësaj bote, që duhet të karakterizojë të dërguarit: “I urdhëroi që, përveç shkopit, të mos merrnin asgjë për udhëtim; as bukë, as trastë, as para... (v.8). Kush niset në emrin e Jezusit, duhet të jetë i pajisur vetëm me forcën e fjalës së tij. Ajo i siguron të dërguarit edhe të gjitha gjërat e tjera të dobishme për jetesë.
Porosia e fundit e Jezusit është që apostujt e tij, kur të zënë vend në një shtëpi, të mos lëvizin prej aty deri sa të largohen nga ai fshat. Qëndrimi i gjatë në të njëjtën shtëpi krijon mundësinë për t’u njohur, për t’u qortuar e për t’u ndrequr. Kisha e Jezusit nuk predikon vetëm me fjalë, por pranon të ndajë me njerëzit jetën e përditshme dhe të zakonshme, edhe duke rrezikuar që njerëzit të vënë re dobësitë dhe moskoherencën e saj.
Marku e përfundon tregimin për misionin e të dymbëdhjetëve duke përdorur foljet që përshkruajnë veprimet e vetë Jezusit: predikonin, dëbonin djajtë, shëronin të sëmurët. Kisha, bashkësia e të dërguarve, është zgjatim i Jezusit, me të cilin është e lidhur thellë, në sajë të thirrjes së tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.