Irak. Imzot Tomasi: thirrjet e Papës bashkësisë ndërkombëtare janë të qarta
Në Mitingun e Riminit, foli edhe imzot Silvano Maria Tomasi, vëzhgues i përhershëm
i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës. U ndal posaçërisht tek emigracioni,
kujtoi nuncin apostolik Pietro Sambi, vdekur në vitin 2011 e, sidomos, i bëri thirrje
bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë, për ta ndaluar dhunën e xhihadistëve në Irak
e në zona të tjera, ku pakicat fetare persekutohen ose zhduken fare nga trojet e
tyre. Mbi rolin e Kishës në këtë zonë të nxehtë të botës, të dëgjojmë vetë imzot
Silvano Tomasin, në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Në këto
rrethana dhune e tragjedie, detyra e Kishës është e vështirë, por megjithatë, vijon.
Dëshmia e Atit të Shenjtë, e qartë: Papa i bën thirrje të vazhdueshme bashkësisë ndërkombëtare
të ndërhyjë, e besimtarëve të luten, për gjetjen e udhës së paqes, duke i ftuar në
bisedime vendet që kanë aftësinë ta bëjnë këtë përmes mekanizmave të OKB-së, për ta
ndaluar agresorin. Pastaj ipeshkvijtë vendas, patriarkët ortodoksë e katolikë të riteve
të ndryshme - ritit siriak, kaldeas, melkit - u mblodhën pak ditë më parë e formuluan
qartë drejtimet kryesore të veprimtarisë së tyre. Së pari, kërkojnë ndihmën e bashkësisë
ndërkombëtare për të ndaluar dhunën dhe vrasjen, e jo vetëm të të krishterëve, por
edhe të yazidëve dhe të grupeve të tjera. Situatë e tmerrshme, në të cilën rrokullisen
koka, që pastaj ngulen si stoli mbi muret a kangjellat e shtëpive. Pamje të papara,
ngjarje të padëgjuara. Vërtet të papranueshme. Së dyti, kërkojnë të ketë një prani
ndërkombëtare, që të garantojë rikthimin e të krishterëve në fshatrat e tyre e në
shtëpitë e tyre. Nuk është e drejtë që bashkësia ndërkombëtare të pranojë automatikisht
se të krishterët janë të dënuar të marrin rrugët e kurbetit. Ata kanë plotësisht të
drejtë të jetojnë në shtëpitë e tyre, ku u kanë jetuar të parët që prej 1700 vjetësh,
shumë para se këtu të arrinte Islami e se mund të vijojnë jo vetëm pse është e drejta
e tyre natyrore, por pse janë prani e dobishme edhe për bashkësinë islamike. Prania
e të krishterëve jep ndihmesën e vet të çmuar për ta ndryshuar shoqërinë, e cila dalëngadalë
mund ta pranojë demokracinë, që respekton identitetin e çdo njeriu e të çdo grupi.
Pyetje: - Ndërmjet tjerash, arrijnë lajme shqetësuese edhe nga Nigeria.
Me sa jemi njoftuar, grupi Boko Haram këto ditë ka organizuar një mori atentatesh
kundra kishave dhe ka shpallur kalifatin islamik në qytein Gwoza: lajm shqetësues,
ky, apo jo? Përgjigje: - Është shqetësuese dhuna, që ushtron Boko Haram;
fakti që si mjet për të marrë pushtetin përdoret sistematikisht dhuna kundër civilëve
të pafajshëm, posaçërisht kundër të krishterëve, i tregon bashkësisë ndërkombëtare
si duhet të reagojë. Nigeria po bën ç’është e mundur për ta zgjidhur problemin e këtij
sekti fundamentalist, që kërkon të marrë pushtetin, duke hedhur gurin e duke fshehur
dorën, domethënë, duke përdorur gjuhën e fesë, për të fshehur synimet e vërteta.
Është pikërisht synimi për të sunduar e për të kontrolluar territorin, në bazë të
gjithë kësaj lëvizjeje. Bashkësia ndërkombëtare, prandaj, duhet ta dënojë, duke sqaruar
plotësisht se metodat e përdorura nga këta njerëz janë krejt të papranueshme, e duhet
të mbështesë, me rrugët që i duken më të mundshme, qeverinë nigeriane, për ta kryer
plotësisht punën për zhdukjen e këtij grupi.