2014-08-24 11:33:05

E diela XXI gjatë vitit


Leximi i parë (Is 22,19-32)

Do të të heq prej vendit tënd, do të të shkarkoj prej detyrës sate. Shërbëtorin tim do ta ftoj atë ditë, Eliakimin, birin e Helcisë, do t’ia vesh unë petkun tënd, do ta ngjesh me brezin tënd, do t’ia dorëzoj pushtetin tënd.
Do të jetë atë për banorë të Jeruzalemit e për shtëpinë e Judës.
Mbi shpatullën e tij do të vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë.
Si gozhdë do ta ngul në një vend të fortë e do të jetë fron lavdie i shtëpisë së babait të tij.


Nga Psalmi 138(137)

Ref. Mos na braktis, o zot, për dashurinë e besnikërinë tënde



Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

Leximi i dytë (Rom 11,33-36)

O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij!
E njëmend, ‘kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t’i kthehet?’
Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!

Ungjilli (Mt 16,13-20)


“Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet:
“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”
Ata u përgjigjën:
“Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”
“Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”
Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”
Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”
Atëherë i urdhëroi nxënësit që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.


Kush është Jezu Krishti?

Leximi i parë dhe Ungjilli i kësaj të diele flasin për kujdesin e Hyjit kundrejt popullit të vet, që shprehet me anë të caktimit të një udhëheqësi, i cili duhet ta bashkojë e ta udhëheqë popullin. Eliakimi, në Besëlidhjen e Vjetër, dhe Pjetri, në Ungjill, janë njerëzit që zgjedh Hyji për t’u besuar shërbesën e unitetit sipas vullnetit hyjnor. Megjithatë, kjo nuk është tema qendrore e liturgjisë së sotme. Jezusi u shtron nxënësve të vet pyetjen themelore: “Po ju, kush thoni se jam unë?”. Vetëm në lidhje me përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje Pjetri merr një rol brenda bashkësisë së mbledhur rreth Jezusit.
Mesia nuk i plotëson pritjet kundrejt tij
Faza e re e kumtimit të lajmit të mirë fillon nga shpallja e Jezusit Mesi. Në fillim Jezusi pati vepruar kryesisht në Galile. Njerëzit ishin plot admirim, por edhe të tronditur, sepse mënyra si vepronte Jezusi nuk përkonte me disa skema brenda të cilave ishte kristalizuar figura e Mesisë së pritur nga Izraeli.
Në kohën e Jezusit u krijuan dy qëndrime: nga njëra anë pohimet entuzjaste: “Askush nuk mund të bëjë mrekullitë që bën ti... Një profet i madh lindi ndër ne... I mësonte si dikush që ka autoritet...”, por, nga ana tjetër, edhe dyshimet: “Kush është ky, të cilit edhe era e deti i binden?”.
Ka nga ata që e shikojnë Jezusin me mëdyshje: “I dëbon djajtë me anë të princit të djajve...”; “Është i pushtuar nga shpirti i keq... Nuk është në vete...”. Disa të tjerë e pyesin: “Kjo gjuhë është e vështirë, kush mund ta kuptojë?...” Por ndër ata që e kanë ndjekur nga afër, doli Pjetri dhe shprehu besimin e tij të plotë: “Tek kush do të shkojmë? Ti ke fjalët e jetës së amshuar. Ne kemi besuar dhe e kemi marrë vesh se ti je Shenjti i Hyjit” (Gj 6,68-69).
Pjetri e njeh Jezusin si Mesinë dhe Birin e Hyjit dhe Jezusi pohon se Pjetrit nuk ia ka zbuluar këtë shpallje as mishi as gjaku, domethënë se nuk janë fryt i mendimeve të njeriut të brishtë dhe të pafuqishëm përballë misterit të Hyjit, por dhuratë e Atit. Në këtë mënyrë Jezusi nuk e pranon konceptin mesianik të farisenjve dhe të saducenjve, ndreq dhe pastron konceptin që kanë nxënësit e tij për Mesinë dhe tregon se misioni i tij mesianik shfaqet me anë të vuajtjes së kryqit, rrugë e detyrueshme drejt lavdisë së ringjalljes.
Krishti ngjall pyetje tek çdo brezni
Ç’rëndësi ka për njeriun e sotëm fakti se para 2000 vjetësh, në rrethinat e lumit Jordan, Pjetri i tha Jezusit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”? A i intereson ende njeriut të sotëm kush është Jezusi? Pyetja e tij: “Po ju, kush thoni se jam unë?” a shihet ende si një thirrje personale, si një problem qendror, ose të paktën i rëndësishëm?
Pavarësisht nga shekullarizimi gjithnjë në rritje dhe pavarësisht nga braktisja gjithnjë më masive e dokeve dhe traditave të krishtera, është interesante kur vërejmë se pyetja e shtruar në Cezarenë e Filipit vijon të ngjallë ende sot ngacmime trazuese. Për të rinjtë Jezusi përfaqëson sot risinë, freskinë, tejkalimin e një shoqërie dhe të një sistemi të vjetëruar, të pajetë, pa fantazi e pa shpirt krijues. Masave të shypura Jezusi u shfaqet si çlirimtar, simbol i shpresës që nuk përfaqëson vetëm botën e përtejme të mistershme; atyre që janë të angazhuar në veprimtaritë shoqërore, Jezusi u shfaqet si model frymëzimi, për t’iu kundërvënë padrejtësisë, shtypjes dhe shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Është domethënës fakti se bota jonë nuk mund ta shmangë ballafaqimin me Jezusin. Historia jonë është aq e prekur prej tij, sa nuk mund të bëjmë sikur nuk e njohim.
“Po ju, kush thoni se jam unë?”
“Çfarë kemi zbuluar për personin e Jezusit dhe për misionin e tij, na lejon të shpallim bashkë me Pjetrin: ‘Ti je Krishti’. Megjithatë, sapo e ngremë shtresën që mbulon misterin, vëmë re se ai është shumë më i thellë sesa duket. Krishti është njeri mes njerëzve të tjerë dhe syri që nuk beson nuk e njeh dot. Në të vërtetë ai vepron brenda njeriut që beson në të dhe i ofron mundësi të panumerta për shpëtim e shëlbim.
Por Jezusi nuk mund të përkufizohet vetëm bir i njeriut si të gjithë të tjerët, që lindin nga gratë. Ai na fton të bëjmë pjesë në grupin e vogël të nxënësve, të cilët ai i fton të rrinë me të, dhe ta ndjekim deri në Jeruzalem, deri në kryq. Aty do të përmbushet shestimi që Hyji ka përgatitur në shekuj dhe do të zbulohet plotësisht misteri i tij si Mesi, si Bir i Hyjit dhe si Shërbëtor i Hyjit”.

Shpresa në një botë më të mirë
(Gaudium et Spes, n.39)
Nuk e dimë kur do të marrë fund toka dhe njerëzimi dhe nuk e njohim mënyrën si do të shndërrohet universi. Me siguri, do të kalojë pamja e kësaj bote të deformuar nga mëkati. Megjithatë, falë zbulimit hyjnor, dimë se Hyji po përgatit një banesë të re dhe një tokë të re, ku banon drejtësia dhe ku lumturia do t’i mbushë e do t’i begatojë të gjitha zemrat njerëzore, që kanë dëshirë dhe etje për paqe.
Atëherë, pasi ta mundin vdekjen, bijtë e Hyjit do të ringjallen në Krishtin dhe çfarë ishte mbjellë në dobësinë njerëzore dhe në korruptim, do të vishet me pakorruptueshmëri: pasi të mbesë dashuria me frytet e veta, do të çlirohen nga skllavëria e së keqes të gjitha krijesat, që Hyji i ka krijuar për njeriun.
Sigurisht, e dimë se nuk ka asnjë dobi për njeriun të fitojë botën mbarë, nëse pastaj humb vetveten. Megjithatë, pritja e një toke të re nuk duhet ta ligështojë, madje duhet ta ngacmojë edhe më shumë kujdesin në punën për tokën e tanishme, ku rritet ai trup i njerëzimit të ri, që qysh tani mund të na japë një farë shëmbëllimi se si mund të jetë në botën e re. Prandaj, edhe pse duhet dalluar me kujdes përparimi tokësor nga zhvillimi i mbretërisë së Krishtit, megjithatë, në atë masë në të cilën mund të ndihmojë për të vënë më shumë rend në shoqërinë njerëzore, ky përparim është shumë i rëndësishëm për mbretërinë e Hyjit. E në fakt, të mirat, si dinjiteti i njeriut, vëllazëria dhe liria, domethënë të gjitha frytet e mira të natyrës dhe të punës sonë, pasi t’i kemi shpërndarë nëpër tokë me Shpirtin e Zotit dhe sipas urdhrit të tij, do t’i gjejmë pastaj përsëri, por të pastruar nga çdo njollë, të ndriçuar dhe të shndërruar, pasi Krishti t’i kthejë Atit mbretërinë e amshuar dhe universale, “që është mbretëria e të vërtetës dhe e jetës, mbretëria e shenjtërisë dhe e hirit, mbretëria e drejtësisë, e dashurisë dhe e paqes”. Këtu mbi tokë mbretëria është tashmë e pranishme, me anë të misteri, por, me ardhjen e Zotit, do të arrijë përsosurinë.
Po ju, kush thoni se jam unë?
Krishti nuk pyet: “Kush jam unë për ju?”, por: “Po ju, kush thoni se jam unë?”. “Po ju...”, si të ishin të ndryshëm nga të tjerët të dymbëdhjetët, e, me ta, të krishterët mbarë. Ata nuk duhet të ndjekin mendimin mbizotërues dhe nuk duhet të flasin për gjëra që nuk i kanë përjetuar vetë.
Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë. Bir: në Bibël fjala “bir” është term teknik, i cili tregon dikë që kryen veprat e Atit, dikë që bën çfarë bën Hyji, që vazhdon në jetën e vet jetën e dikujt tjetër. Biri i Hyjit të gjallë: ti sjell Hyjin këtu, mes nesh; na bën ta shohim Hyjin, të prekim burimin e jetës, një gjë e vetme me jetën, i ndërthurur me jetën. Pjetri e ka parë, e ka parë Jezusin duke kaluar në jetën e njerëzve si dhuruesi i jetës më të plotë: tek kush do të shkojmë? Vetëm ti i ke fjalët që i japin gjallëri të vërtetë jetës.
Pyetja e Jezusit arrin deri tek unë: po ti, kush thua se jam unë? Nuk pyet: çfarë ke mësuar prej meje? Cila është përmbledhja e mësimeve të mia? Por: Kush jam unë për ty? Çfarë të sjell unë ty? Çfarë sjell në jetën tënde? E nuk nevojitet përgjigja e të tjerëve. Nuk nevojiten librat apo katekizmat, studimet apo leximet e ndryshme. Kush je për mua ti, Jezus? Ti, për mua, je jeta. Dhe emri i jetës është gëzim, liri, plotësi. Ti je jeta, që është forcë, guxim dhe aftësi për t’u ringritur pas rrëzimeve. Jetë që nuk mbaron kurrë, amshim. “Para se të të njihja ty, unë nuk ekzistoja”, thoshte Ilari i Puatjesë). Sa më shumë të jetë i pranishëm në mua Hyji, aq më shumë ekzistoj edhe unë. Dhe e kuptoj se Krishti nuk është ajo që unë them për të, por zjarri me të cilin ai ndizet flakë brenda meje. E vërteta nuk është formulë, por ajo që flakëron brenda nesh, që ngroh zemrën dhe gjallëron jetën. Ti je shkëmb e mbi këtë shkëmb do thë themeloj Kishën time; ty do të t’i jap çelësat e mbretërisë. Pjetri dhe, sipas traditës, pasardhësit e tij, janë shkëmb në atë masë në të cilën vijojnë të kumtojnë këtë fjali të vetme: Krishti është biri i Hyjit të gjallë. Pjetri është shkëmb për Kishën dhe për njerëzimin në atë masë në të cilën përçon Hyjin, që është dashuri, në atë masë në të cilën u kujton njerëzve se ata janë shtëpia e vërtetë e Hyjit; kur u thotë se Krishti, i kryqëzuari, tani është i gjallë dhe u jep të gjithë njerëze jetën e re, të mirë, të bukur dhe të lume. Pjetri është çelës në atë masë në të cilën hap dyert dhe udhët që na çojnë drejt njëri-tjetrit, që na bashkojnë dhe na çojnë së bashku drejt Hyjit. Lumnia që Jezusi i shpall Pjetrit arrin tek çdo nxënës i tij: i lum je ti, nëse jeta jote ka gjetur Krishtin, shkëmbin e vërtetë. Edhe ti bëhesh shkëmb i gjallë, me të cilin Hyji ndërton Kishën e tij. Edhe ti bëhesh çelës, që u hap të tjerëve udhën e Hyjit.
Kjo është meshtaria e pëbashkët e besimtarëve të pagëzuar: ata janë shkëmbi që u jep siguri, qëndrueshmëri dhe kuptim edhe të tjerëve; çelësi që hap dyert e bukura të Hyjit dhe plotësinë e jetës. Të gjithë mund të jetojmë në botë si instrumenta sigurie dhe qëndrueshmërie, duke u thënë të tjerëve: Ti mund të mos besosh, si të duash, por unë do ta mbaj Hyjin afër teje (M. Delbrel).

Pjetri, figurë simbolike e të fortëve dhe e të dobtëve
(Nga “Fjalimet” e Shën Agostinit, n. 76)
Duke parë këtë anëtar të Kishës, duhet të dallojmë çfarë vjen nga Hyji dhe çfarë vjen nga ndjenjat tona. Vetëm kështu nuk do të lëkundemi, do të jemi të themeluar mbi shkëmb do të jemi të qëndrueshëm e të patundshëm nga stuhitë e furishme, domethënë nga provat e kësaj jete. Shikoni me vëmendje këtë apostull të madh, Pjetrin, i cili atëherë u bë shëmbëllimi ynë simbolik: një herë është besimplotë, një herë tjetër ngurrues, pastaj e shpall Krishtin të pavdekshëm, pastaj ka frikë se do të vdesë. Ja pse Kisha e Krishtit ka besimtarë të fortë në fe, por ka edhe besimtarë të lëkundur dhe nuk mund t’i mungojnë ata që janë të qëndrueshëm, as të paqëndrueshmit. Ja pse apostulli Pal thotë: Ne, që jemi të fortë në fe, e kemi për detyrë të durojmë brishtësinë e atyre që janë të dobët në fe. Duke shpallur: ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë, Pjetri përfaqëson besimtarët e dobët në fe. Pra, ishte e domosdoshme që në një apostull të vetëm, domethënë në Pjetrin, i pari dhe më i rëndësishmi ndër apostuj, në të cilin përfaqësohej simbolikisht Kisha, të përfaqësohej si njëri lloj, ashtu edhe lloji tjetër i besimtarëve, domethënë ata më të fortët dhe ata më të dobëtit, sepse në Kishë nuk mund të mbesë njëra palë pa tjetrën.








All the contents on this site are copyrighted ©.