2014-08-24 11:35:17

Bilanc i atë Federiko Lombardit për udhëtimin e Papës Françesku në Korenë e Jugut


Papa Françesku përfundoi javën e kaluar udhëtimin e tij të parë në Azi. Në Korenë e Jugut për Ditën e gjashtë aziatike të Rinisë, Ati i Shenjtë u takua me të rinjtë, me bashkësinë e krishterë të vendit dhe u lut për bashkimin e të dyja Koreve. Bëri përshtypje krenaria e koreanëve për zanafillën e Kishës vendase, themeluar nga laikët e jo nga misionarët. Thellësia e përshpirtërisë aziatike u duk edhe në kërkesën e një vajze kamboxhiane, që iu lut Papës të njihen martirët e fesë së vendit të saj… Në Perëndim, Kisha aziatike nuk njihet mirë e ndoshta mund të mësohet shumë prej saj. I kërkuam një koment drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
Me të vërtetë, ne mund të mësojmë shumë nga Kisha në Azi. Mendoj se një nga vlerat e mëdha të këtij udhëtimi është nxitja për ta kuptuar mesazhin e çmuar që vjen nga historia e nga dëshmia e fesë së këtyre besimtarëve. Udhëtimet e Papës kanë vlerë për të gjithë botën. Në veçanti, Kisha koreane ka dy aspekte, që u kujtuan shpesh: e ka zanafillën në punën e laikëve vendas dhe ka një histori të jashtëzakonshme martirizimi. Feja e lindur në këtë mënyrë, nga dëgjimi i Fjalës së Hyjit, është kaq e fortë sa kapërceu persekutimet më të tmerrshme, gjatë dhjetra vjetësh, për më shumë se një shekull. Kjo u bën përshtypje atyre, që e jetojnë fenë në situata më të favorshme, jo kaq të vështira. Kishat në Azi, me përjashtim të Filipineve, janë Kisha të pakicës. Feja e krishterë është fe e pakicës. E pakica karakterizohet gjithnjë nga bindja e hekurt, bindje personale, që krijohet pas një shoshitjeje e shqyrtimi më të thellë, më serioz e më të vështirë se ai i shumicës. Përveç kësaj, dua të vë në dukje edhe aspektin e inkulturimit, që Kisha në Kore e dëshmon si askush tjetër, pikërisht për faktin se pranimi i mesazhit të Ungjillit dhe i vlerave të tij nuk ka ardhur nga të huajt, që sjellin me vete diçka të filluar diku tjetër, por lind nga reflektimi i thellë, personal, i laikëve koreanë, të cilët, për hir të pasionit për të vërtetën, zbuluan vlerën e Lajmit të Mirë të Krishtit. Sipas meje, kjo është diçka shumë më e fuqishme se inkulturimi, siç jemi mësuar ta shohim zakonisht. Gjuha e Ungjillit hyn në kulturën e popullit si diçka, që i flet nga brenda, e nuk i “ngjitet” kulturës së tij nga jashtë, në sipërfaqe. Krijohet një sintezë jetësore me shpirtin, ndjeshmërinë dhe kulturën e popullit. Ky aspekt është i rëndësishëm për ungjillëzimin e Azisë, sepse na jep kriteret për të kuptuar, siç e tha edhe Papa, se ungjillëzimi që dëshirojmë për këtë kontinent pa fund lind nga empatia, nga njohja e Ungjillit, që është bërë një me shpirtin e katolikëve, duke arritur thellësitë e zemrës së tyre. E kjo konfirmon edhe bindjen tonë se është Zoti ai, që punon e arrin deri aty ku fjalët e njerëzve nuk ia dalin të hyjnë. Ky është hiri i Tënzot.
Gjatë udhëtimit në Kore, Papa Françesku nuk e harroi kurrë gjendjen në Irak, siç dëshmojnë edhe mesazhet e tij të shumta në Twitter...
Sigurisht. E këtë e dëshmoi me një gjest të thjeshtë, absolutisht të natyrshëm: në lutjen për besimtarët, në meshën përfundimtare, shtoi një lutje për misionin e kardinalit Filoni në Irak e për gjendjen në vend. E mora vesh se kur kolegët e Radio Vatikanit ia thanë kardinalit Filoni, gjatë një interviste, ai nuk dinte akoma asgjë e u lumturua për këtë. Kjo tregon për përkimin e thellë të gjesteve të Papës me të gjitha përmasat e Kishës, në veçanti me Kishën që vuan e persekutohet. Në Kore, tema e persekutimit, e vuajtjes e vështirësive ishte shumë e pranishme: është historike, por edhe e kohës së sotme. Iraku është vend, ku sot jetohet në mënyrë dramatike. Nuk është i vetmi, por sigurisht, aty është përqendruar vëmendja jonë dhe e Papës, i cili nuk e harroi për asnjë çast. U informua ditë për ditë për misionin e kardinalit Filoni e vazhdoi të kërkojë rrugëzgjidhje. Në bisedën me gazetarët në avion, tha madje se po merr në konsideratë mundësinë e një kalimi të tij personal në Kurdistan, gjë që akoma nuk është në plan, por tregon se Papa është përnjimend aty, jo vetëm me mendime... me zemër.








All the contents on this site are copyrighted ©.