2014-08-22 14:49:08

Ngushëllimet e Papës për vdekjen kardinalit Szoka


Papa Françesku shpreh ngushëllimet për vdekjen kardinalit amerikan Edmund Casimir Szoka, që ndërroi jetë dje, në një spital të Michigan-it: ishte 88 vjeç. Prelati i lartë ishte kryeipeshkëv i Detroitit (SHBA), president i Governatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe i Komisionit Papnor të këtij Shteti.
Në një telegram, dërguar imzot Carlo Maria Viganò, nunc Apostolik në SHBA, Ati i Shenjtë e kujton me mirënjohje shërbimin e palodhshëm ipeshkvnor të kardinalit të ndjerë në Gaylor e Detroit, si dhe vitet e gjata në shërbim të Selisë së Shenjtë e të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, duke ia besuar shpirtin e këtij shërbëtori fisnik të Krishtit e të Kishës, dashurisë përdëllyese të Hyjit”.
Kardinali Szoka, bir emigrantësh polakë, lindi në Gran Rapids, Michigan, më 14 shtator 1927.
U shugurua meshtar më 5 qershor 1954. Pas shërbimeve të vyera në detyra të ndryshme në Kishën e SHBA si dhe thellimit të studimeve në vendlindje e në Romë, u shugurua ipeshkëv më 20 korrik 1971. Gjon Pali II e krijoi kardinal më 28 qershor 1988, me titullin e Shenjtorëve Andreu e Gregori, në Celio. Më 15 shtator 2006 Papa Benedikti pranoi kërkesën e tij për dorëheqje, për shkak të moshës. Me vdekjen e Kardinalit Szoka, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 211 kardinaj, 118 zgjedhës, e 93 jo zgjedhës.







All the contents on this site are copyrighted ©.