2014-08-21 16:36:51

Obama: “Nuk ka vend për xhihadistët në shekullin XXI”


I ashpër, reagimi i presidentit Obama pas vrasjes së gazetarit amerikan Foley nga xhihadistët në Irak. Në një deklaratë të shkurtër, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se”asnjë fe nuk predikon masakrimin e të pafajshëmve”, duke i akuzuar për genocid xhihadistët e Shtetit Islamik. “Për këtë arsye – nënvizoi – nuk ka vend për ta në shekullin e 21-të”, e shtoi: “do ta eliminojmë këtë kancer”. Ndërkaq, jo vetëm nga theksi britanik i ekzekutuesit të Foley-t, por edhe nga njoftimet e shërbimit sekret të Londrës, konfirmohet prania e britanikëve në ushtrinë e terroristëve. Gjithsesi, mbetet sfida e Shtetit Islamik për Amerikën, por edhe për botën perëndimore në përgjithësi. Të dëgjojmë komentin e përgjegjësit të komunikimeve në Komitetin Itali-SHBA, Dennis Redmont:

Kjo sfidë e botës islamike ka ekzistuar gjithnjë: nuk mund t’i harrojmë atentatet e Nju Jorkut në vitin 2001. Nuk mund të harrojmë as luftën kundër gazetarëve, në Pakistan apo në vende të tjera: në Siri, që nga fillimi i konfliktit, kanë humbur jetën 70 gazetarë. Në të njëjtën mënyrë, në këtë luftë asimetrike, përdoret shtypi si mundësi jehone për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Foley ishte gazetar shumë ekspert e i lidhur me shumë qendra. Grupi ISIS do të ketë menduar se do të ishte spektakolare t’ia prisnin kokën ndërsa ishte veshur me një uniformë, që të kujton atë të të burgosurve të Guantanamos.
Në video, shihet fytyra e një gazetari tjetër, të cilit xhihadisti i thotë: “Jeta e këtij qytetari, Obama, varet nga vendimet e tua në të ardhmen”. Çfarë i kërkon Shteti Islamik Amerikës?
Ndoshta, tani, Amerika përgatitet ta ndryshojë politikën e saj në Lindjen e Mesme, sepse e kupton se duhet ta konsiderojë rajonin si një të vetëm e jo si shumë vendesh. Nga ana tjetër, shumë mendojnë se nëntë-dhjetë vendet e Lindjes së Mesme janë të destinuara të shpërbëhen e të kthehen në principata ose dukate të vogla, në luftë me njëri-tjetrin, sipas fesë. ISIS-i, i cili është grup sunit ekstremist e terrorist, nuk shkon mirë me shiitët e as me Turqinë, prandaj, reagimi i Amerikës do të jetë i fuqishëm, në mbrojtje të pakicave e sidomos në mbrojtje të investimeve strategjike amerikane në vend, si për shembull nafta, ose bazat amerikane që kontrollojnë situatën.
Gazetari amerikan ishte katolik, ish-nxënës i jezuitëve, por nuk është i vetmi gazetar, viktimë e luftës…
Problemi i shtypit është se gjithnjë e më shumë gazetarë bëhen “free lance”, pra, nuk janë punonjës të agjencive ose gazetave, sepse do të ishte shumë e vështirë, shumë e rrezikshme e do të kushtonte shumë të punësoheshin prej tyre. Nuk janë të siguruar. Disa, si Foley, janë të përgatitur, por jo të gjithë. E pastaj, pyetja e parë e çdo terroristi është “I ç’feje je?”. Në Evropë, është një aspekt për të cilin nuk pyesim fort, por është shumë i rëndësishëm, sepse feja myslimane e konsideron aspekt kryesor.








All the contents on this site are copyrighted ©.