2014-08-20 16:38:27

Mbyllet sot vizita e kardinalit Filoni në Irak


Kardinali Fernando Filoni, i dërguari i posaçëm i Papës Françesku në Irak, kthehet sot nga misioni në delikat, që kreu në këtë vend të goditur nga dhuna dhe terrorizmi. Gjatë ditës së djeshme kreu i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve u takua në Bagdad me presidentin irakian Fuad Masum të cilit i dorëzoi një letër nga ana e Papës Françesku. Ja si e përshkroi takimin me presidentin irakian para mikrofonit tonë kardinali Filoni:RealAudioMP3

Takimi qe shumë i përzemërt. Unë isha i shoqëruar nga patriarku kaldeas, Patriarku Sako, nga nunci apostolik e nga Imzot Warduni. I dorëzova presidentit letrën, të cilës ai pastaj do t’i përgjigjet. I tregova shkurtimisht përvojën e këtyre ditëve dhe i theksova se vizita ime nuk ishte politike, por vizitë humanitare, për llogari të Atit të Shenjtë, për këtë arsye kam shkuar më parë në Erbil, në Kurdistan, ku gjendja është ende shumë e rëndë, e pastaj në Bagdad, ku do të takohesha me të.

Kuptohet, letra e Atit të Shenjtë për presidentin irakian duhet përfshirë pikërisht në kontekstin e angazhimit gjithëpërfshirës të Françeskut për paqen...

Këtë angazhim Papa e ka për zemër, e ka me gjithë mend dhe e ushtron si veprimtari baritore. Pra, Ati i Shenjtë, përballë situatave kaq të ngutshme, nuk ngurron të ndërhyjë pikërisht për të nënvizuar sa shumë e ka për zemër ai çështjen e të varfërve. Çështja e Irakut nuk është vetëm tragjedi për popullin irakian, për të krishterët tanë apo për jazidët, por ajo prek të gjithë njerëzit që e kanë për zemër njerëzimin. Pakicat e vogla apo të mëdha, fetë dhe besimet e ndryshme fetare: askush nuk mund të mos mendojë se të gjithë na bashkon i njëjti dinjtet njerëzor, që duhet ruajtur, mbrojtur e ushqyer.

Papa Françesku, duke u kthyer nga Koreja, në avion, gjatë konferencës së shtypit me gazetarët, u shpreh kështu: “Unë jam i gatshëm, madje do të dëshiroja të isha në Irak ... Por jam i gatshëm të shkoj, sikur të ishte e mundur”...

Duke njohur zemrën, mendjen, por edhe arsyen, që e shtyu të më dërgonte, nuk pata dyshim se, po të kishte pasur mundësi në atë çast, sigurisht nuk do të kishte ngurruar të vinte edhe vetë, megjithëse duhen mbajtur parasysh situatat e ndryshme që mund të paraqiten. Pra, po shoh se intuita ime nuk ishte e gabuar.

Papa tha edhe se “është e lejueshme të ndalet mësymësi i padrejtë”. Si u pritën këto fjalë në Irak?

Besoj se Ati i Shenjtë nuk bëri tjetër, por shpalosi atë që është kërkesa e të gjithë të krishterëve, e të gjithë jazidëve, e të gjithë refugjatëve, që dëshirojnë të rifillojnë jetën e të rifitojnë dinjitetin. Mirëpo, para një situate kaq të paqëndrueshme – e do të shtoja edhe kaq të rëndë – unë mendoj se këtu nuk bëhet fjalë për luftë: ne nuk mund ta mbështesim kurrë luftën, por ka disa konflikte ku më të varfrit – le të kujtojmë se të krishterët tanë nuk ishin të armatosur, jazidët nuk ishin të armatosur – janë dëbuar nga tokat e tyre, u është dhunuar dinjiteti e kanë mbetur pa familje... Pra, a mund të qëndrojmë indiferentë? Këtu bëhet fjalë për të drejtat që duhen mbrojtur nga çdo njeri me vullnet të mirë. Secili duhet të veprojë sipas aftësive të veta. Ati i Shenjtë vepron me të gjithë forcat shpirtërore e morale. Secili pastaj, në nivel qytetar, në nivel shoqëror, në nivelin e përgjegjësive duhet të bëjë pjesën e vet. Nuk duhet bërë luftë, por duhet mbrojtur e drejta e popujve. Nëse nuk ndërhyjmë, do të ndodhë genocidi dhe pas ndonjë jave do të na brejë ndërgjegjja, siç ka ndodhur fatkeqësisht në të shkuarën, në disa situata dramatike në Afrikë, për të mos folur për kohët e mëherëshme dhe për ato që përsëriten edhe sot në disa vende të Afrikës. Nuk duhet të mendojmë se, për shembull, gjendja dramatike e rreth 450 vajzave të rrëmbyera është një fakt i mbyllur. Këto janë aspekte për të cilat unë besoj se çdo njeri mund të mendojë: “ajo vajzë, ajo vogëlushe mund të ishte motra ime, dikush nga familja ime... A mund të mbetem indiferent? A nuk do të bëja gjithçka për ta liruar?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.