2014-08-20 16:39:19

Gazetari amerikan i ekzekutuar nga forcat islamike në Irak ishte katolik


Shteti islamik sfidon haptas Shtetet e Bashkuara dhe jep lajmin për prerjen në fyt të gazetarit amerikan James Foley, reporteri i lirë i rrëmbyer në Siri më 2012. Pamjet e transmetuara të ekzekutimit të tij ngjallën tmerr e neveri. Foley ishte katolik, ish nxënës i Universitetit Marquette, themeluar e drejtuar nga jezuitët. Ndërkohë, ndërsa në veri të Irakut vijojnë bombardimet amerikane, forcat qeveritare të Bagdadit kanë nisur sulmin për marrjen e Tikritit, të cilin xhihadistët e kanë nën kontroll që nga muaji qershor.
“Mesazh për Amerikën”, kështu quhet videoja tronditëse e ekzekutimit të gazetarit amerikan James Foley, rrëmbyer në Siri më 2012, që u shpërnda në rrjet nga xhihadistët e Shtetit Islamik. Në filmin që zgjat 4 minuta e 40 sekonda shihet edhe një gazetar amerikan, Steven Joel Sotloff, rrëmbyer në Siri, dhe një milician i Isis, i cili thotë: “Jeta e këtij qytetari amerikan, o Obama, varet nga vendimet e tua të ardhshme”. Në filmime shfaqet edhe një shkrim, që thotë: “veprimet ushtarake kundër shtetit islamik” e vendosin Amerikën në një “plan rrëshqitës drejt një fronti të ri lufte kundër myslimanëve”. Agjencitë e zbulimit amerikan e kanë pranuar “vërtetësinë” e videos, por pamjet nuk ngjallin asnjë dyshim dhe flasin për një përplasje ballore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe terrorizmit islamik, që dukej se ishte tejkaluar tashmë, pas tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku më 2011.
Ndërkohë bombardimet e fundit amerikane kanë goditur vendqendrimet e Isis-it në afërsi të digës së Mosulit dhe ndërhyrja ajrore e Shteteve të Bashkuara është kërkuar nga qeveria e Bagdadit si ndihmë për rimarrjen e Tikritit, ku milicianët integralistë po luftojnë egër.
Sot mediat e Tiranës flasin për një “vendim sekret” të qeverisë, marrë më 15 gusht, për t'i dërguar ndihma falas në armatime qeverisë së Bagdadit e për ta ndihmmuar shtetin e kërcënuar në mënyrë të frikshme nga milicianët xhihadistë.








All the contents on this site are copyrighted ©.