2014-08-20 15:24:43

Falënderimi i Papës Françesku për lutjet, në kujtim të familjarëve të tij të vdekur


Atmosferë tejet e ngrohtë, e përzemërt, sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI.
Besimtarët e pranishëm në takimin e së mërkurës, i shprehën Papës ngushëllimet më të ndjera, për vdekjen tragjike të tre familjarëve të tij, që humbën, dje, jetën, në një aksident rrugor. Është fjala për gruan dhe dy fëmijët e nipit të Papës, Emanuel Horacio Bergoglio, 35 vjeç, i shtruar në spital, në gjendje jashtëzakonisht të rëndë. Papa i falënderoi besimtarët me këto fjalë:RealAudioMP3
“Ju falënderoj ju, që luteni e më ngushëlloni, për atë që ndodhi në familjen time. Edhe Papa e ka një familje. Ne ishim pesë vëllezër. Tani kam gjashtëmbëdhjetë nipa e njëri prej tyre është ai, që pësoi aksidentin rrugor: i vdiqën gruaja e dy fëmijët e vegjël, dy vjeç njëri e pak muajsh, tjetri, e në këtë çast, është në gjendje kritike. Po unë ju falënderoj shumë, shumë, për ngushëllimet e lutjet”.

Mbarë Argjentina është thellësisht e prekur për mortin në familjen e Papës. Nga Buénos Ájres na flet Francesca Ambrogetti:
“Pas një ndërhyrjeje të re kirurgjike mbrëmë, gjendja shëndetësore e Emanuele Bergoglio-s vijon të jetë tejet e rëndë. Nipi i Papës është i shtruar në repartin e terapisë intensive të spitalit Pasteur, në lokalitetin Villa Maria të provincës së Kordobës, fare pranë vendit ku ndodhi aksidenti rrugor, në të cilin humbën jetën bashkëshortja e tij, Valeria Carmona dhe fëmijët e saj, Antonio e Josè, dy vjeç njëri e tetë muajsh, tjetri. Nga Buenos Ajres arritën nëna e Emanuelit, vejusha e Alberto Bergoglio-s, vëllai i Papës, vdekur më 2010 dhe dy motrat e tij. Trupat pa jetë të tri viktimave të aksidentit kanë arritur në kryeqytetin e Argjentinës, ku sot u kremtua Mesha e dritës. Ministria e Jashtme i dërgoi Papës një mesazh ngushëllimi, në emër të presidentes Kristina Kirchner, të qeverisë dhe të mbarë popullit argjentinas. “Papa Françesku, lexohet në telegram, ka qenë gjithnjë pranë atyre që vuajnë e sot, në çastet e dhimbjes së tij, ne, të gjithë argjentinasit, jemi tejet të prekur nga kjo tragjedi”. Mesazhe të tjera ngushëllimi vijojnë të arrijnë në Vatikan nga të katër anët e vendit dhe të botës e në shumë kisha u organizuan mbrëmësore lutjesh".







All the contents on this site are copyrighted ©.