2014-08-19 13:59:22

Papa Françesku u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve


Papa Françesku u kthye dje nga Koreja e Jugut dhe mbërriti në Romë mbrëmë në orën 18.00, duke përmbyllur kështu udhëtimin e tretë apostolik. Nga aeroporti shkoi menjëherë në bazilikën e Shën Marisë së Madhe dhe vendosi para statujës së Zojës një tufë me lule, të cilën ia kishte dhuruar një vogëlushe koreane. Gjatë fluturimit Françesku foli me gazetarët për çastet kryesore të këtij udhëtimi, për emocionet e përjetuara në takimet e ndryshme, por edhe për gjendjen në Irak dhe në Lindjen e Mesme.

Mendimi për popullin korean përbën thelbin e bisedës së Atit të Shenjtë me gazetarët, të cilët i drejtuan gjithsej gjashtëmbëdhjetë pyetje. Por Papa nuk ngurroi të fliste as për gjendjen në botë, si, për shembull, për bombardimet amerikane në Irak dhe mundësinë e një udhëtimi të tij në atë vend, ku dhuna po shkakton plagë të thella. “Jam i gatshëm të shkoj atje”, tha Françesku, “por në këtë çast nuk është gjëja më e duhur” dhe saktësoi se “është e lejueshme ta ndalosh mësymësin e padrejtë”, ta ndalosh, “nuk them ta bombardosh”, sqaroi, prandaj “duhen marrë në shqyrtim mjetet me të cilat mund të bëhet kjo gjë”:

Të ndalosh mësymësin e padrejtë është e lejueshme, por duhet edhe të vëmë në punë kujtesën, se sa herë me arsyetimin për të ndalur mësymësin e padrejtë, fuqitë e mëdha i kanë nënshtruar popujt dhe kanë bërë luftra të mirëfillta pushtuese. Një komb i vetëm nuk mund të gjykojë si mund të ndalet kjo gjë, si ndalet një mësymje e padrejtë.

Duke folur për gjendjen në Lindjen e Mesme një gazetar e pyeti Papën nëse lutja me presidentët Abu Mazen dhe Simon Peres nuk pati dobi. Ajo nismë, u përgjigj Ati i Shenjtë, “që lindi nga njerëz të cilët besojnë në Hyjin, nuk qe fare një dështim”. Pa lutje nuk ka negociata, as dialog, shpjegoi, prandaj ajo përbën “një hap themelor të sjelljes njerëzore” dhe dera mbetet gjithnjë e hapur:
Tani tymi i bombave dhe i luftrave nuk na lejon ta shohim derën, por dera ka mbetur e hapur nga ai çast. E unë besoj në Hyjin, unë besoj se Zoti e shikon atë derë, si edhe ata që luten e i kërkojnë të na ndihmojë.
Emocionet e përjetuara gjatë takimeve me dëshmitarët e ndryshëm të vuajtjes në Kore i japin shkas Papës të flasë për pasojat e luftës. Në takimin me gratë e moshuara, të cilat i mbijetuan shpërnguljes në Japoni gjatë Luftës së Dytë Botërore, Françesku tregon se ka parë dhimbjen e mbarë popullit korean, të ndarë, të poshtëruar, të pushtuar, por prapë se prapë me dinjitet të madh. Pastaj bën thirrje: “duhet të ndalemi e të mendojmë pak sa të pashpirt jemi bërë”, dhe dënon ashpër torturën gjatë proceseve gjyqësore dhe nga shërbimet e zbulimit:

Tortura është mëkat kundër njerëzimit, është krim kundër njerëzimit dhe katolikëve u them: të torturosh një njeri është mëkat mortar, është mëkat i rëndë!”. Por edhe më keq: është mëkat kundër njerëzimit.

Pyetjes së gazetarëve në lidhje me mundësinë e dialogut me popullin kinez, të cilin Papa e përshkruan si “të mirë, të fisëm dhe të urtë”, ai u përgjigj se “Selia e Shenjtë i mban të hapura kontaktet” dhe u shpreh i gatshëm të shkojë në Kinë menjëherë. Një tjetër pyetje e rëndësishme ishte ajo për procesin e lumnimit të kryeipeshkvit të San Salvadorit, Imzot Oscar Arnulfo Romero. Papa Françesku tha se procesi është “zhbllokuar” dhe uron që tani, për këtë “njeri të Zotit”, gjithçka të sqarohet dhe “të vijohet me shpejtësi".
Nuk mungoi interesimi i gazetarëve për udhëtimet e ardhshme të Papës, parashikuar për vitin 2015: është e sigurt se do të shkojë në Philadelphia, për takimin botëror me familjet, por me atë rast mund të shkojë edhe në New York e Washington. Mbetet për t’u parë a do të mund të shkojë në Meksikë dhe Spanjë.
Gazetarët u treguan kureshtarë edhe për jetën private të Papës në Shtëpinë e Shën Martës dhe ai foli për një jetë “norale” aty, për pushimet në shtëpi, gjatë të cilave ndjek një “ritëm tjetër”, me më shumë lexime, çlodhje e muzikë. I pyetur për Benediktin XVI tha se me të ka një marrëdhënie “vëllazërore” dhe se shkëmbejnë vazhdimisht opinione. Zgjedhja e tij për të qenë Papë nderi ka hapur një derë, pohoi Françesku, një “derë që është institucionale, jo një përjashtim”:

Sepse jeta jonë po zgjatet dhe në një farë moshe nuk ekziston mundësia për të qeverisur mirë, sepse trupi lodhet ... por, shëndeti mund edhe të jetë i mirë, megjithatë mungon aftësia për të përballuar të gjitha problemet e një qeverisjeje siç është ajo e Kishës. E unë mendoj se Papa Benedikti bëri gjestin e Papëve të nderit. E përsëris: ndoshta ndonjë teolog do të më thotë se kjo nuk është e drejtë, por unë kështu mendoj. Shekujt do ta tregojnë a është kështu apo jo. Të shohim. Dhe ju mund të më pyesni: “Po nëse ju, një ditë, nuk do të ndjeheni në gjendje të vijoni?”. Do të bëja të njëjtën gjë. Do të bëja të njëjtën gjë. Do të lutem shumë, por do të bëja të njëjtën gjë.








All the contents on this site are copyrighted ©.